Atletico Madrid përshëndetet me garat evropiane, Leverkusen shkon në Ligën e Evropës
Atletico Madrid këtë edicion nuk do të luajë më në garat evropiane pas humbjes që pësoi në udhëtim te Porto (2:1), derisa Bayer Leverkusen e ndali në një barazim pa gola Club Brugge.
Në sfidën e sotme ndodhi ajo që nuk e priste askush, me Porton që fitoi me rezultat të ngushtë 2:1 ndaj "Los Rijoblancos" për të siguruar kalimin si lider i grupit B edhe eliminuar madrilenët nga garat evropiane.
Ishte Mehdi Taremi që kaloi Porton në epërsi pas vetëm pesë minutave lojë, pas një asistimi shumë të bukur të Evanilson (5').
Ndërsa, ishte Galeno që përfitoi nga një mbrojtje jo e mirë duke asistuar te Stephen Eustaquio, i cili realizoi për 2:0.
Atletico pastaj provoi të këndellej deri në vonë duke rrezikuar disa herë përmes Angel Correa që kishte disa mundësi të mirë shënimi, por që assesi nuk i konkretizoi.
Sidoqoftë, nuk ishte vetëm Atletico që synonte golin, me Porton që gjithashtu dëshironte të realizonte më shumë, mirëpo Jan Oblak u sigurua që të mos shënonte askush tjetër.
E tëra që bëri Atletico ishte goli i nderit, apo autogol nga mbrojtësi Ivan Marcano, që shënoi në përpjekje për ta larguar topin (90+5’).
Në anën tjetër, Bayer Leverkusen arriti ta ndal në një barazim pa gola skuadrën belge, Club Brugge.
Ndeshja ishte shumë e hapur me mysafirët që rrezikuan më së shumti, por u mungoi konkretizimi, derisa gjermanët provuan në kundërzbritje.
Kësisoj, meqenëse asnjëra skuadër nuk i konkretizoi rastet epilogu përfundimtar doli të jetë 0:0.
Kështu, Porto avancon tutje si lider i grupit B me 12 pikë të mbledhura, një më shumë se Club Brugg me 11 sosh, kurse Bayer Leverkusen do të vazhdojë garat në Ligën e Evropës pasi u rendit i treti me pesë pikë.
Atletico pavarësisht që kishte pikë të barabarta me Leverkusenin bie nga garat shkaku i golaverazhit, pra ka pranuar një gol më shumë.