Aston Villa e mposht Bayernin, fitojnë edhe Juve e Liverpooli
Aston Villa e ka fituar derbin ndaj Bayern Munichut, derisa Juventusi ka triumfuar me rikthim te RB Leipzigu (2:3), kurse Liverpooli mposhti Bolognan (2:0).
Skuadra angleze befasoi të gjithë, duke mposhtur me rezultat minimal 1:0 gjigantin gjerman.
Villa kishte ndoshta rastet më të rrezikshme, pavarësisht që Bayerni ishte më dominues në posedim.
Pau Torres shënoi pas një topi të kthyer, mirëpo që pastaj reagoi VAR-i duke e anuluar për pozitë jashtë loje.
Bayern Munich kishte një rsat të mirë përmes Michael Olise, mirëpo që Martinez me një super pritje ia mohoi golin.
Heroi i Villas ishte Jhon Duran që realizoi një gol fantastik për t’ia dhuruar skuadrës së Unai Emery fitoren e dytë radhazi në Ligën e Kampionëve.
Villa tani arkëton gjashtë pikë në fazën e ligës, derisa Bayerni mbetet me tre sosh.
Në anën tjetër, Juventusi ka bërë një rikthim mahnitës kundër RB Leipzigut me rezultat 2:3.
Benjamin Sesko me një supergol kaloi Leipzigun në epërsi pas asitimit të Opendas (30’).
Juve u këndell me anë të Dusan Vlahovic që përfitoi pas asistimit të Cambiasos (50’).
Situata u vështirësua për mysafirët kur Di Gregorio u ndëshkua direkt me karton të kuq, e pastaj Leipizgu e riktheu epërsinë me anë të Seskos (65’).
Sidoqoftë, Juve s’u dorëzua duke e barazuar prapë me anë të Vlahovicit (68’).
Heroi i Juves rezultoi të jetë i riu Conceicao që shënoi gol të bukur pas asistimit të Fagiolit (83’).
Juventusi tani mbledhë gjashtë pikë derisa Leipzig mbetet pa pikë pas dy xhirove.
Fitore ka shënuar edhe Liverpooli, që regjistroi triumf komod me rezultat 2:0 ndaj Bolognas.
Mysafirët shënuan të parët me Dallinga, por që goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Vetëm dy minuta më vonë, Mo Salah dhuroi një asistim te Alexis Mac Allister për ta kaluar Liverpoolin në epërsi (11’).
Egjiptiani pastaj e vulosi fitoren me një eurogol, i cili me një goditje precize e la në gjumë portierin mysafir (75’).
Liverpooli tani zë pozitën e pestë me gjashtë pikë, kurse Bologna zë vendin e 27-të me një pikë.