Amir Rrahmani s'e promovoi Kosovën gjatë festës me Napolin - NACIONALE

Amir Rrahmani s'e promovoi Kosovën gjatë festës me Napolin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Amir Rrahmani nuk e ka shfrytëzuar mundësinë për ta promovuar Kosovën duke i shfaqur simbolet e saj shtetërore gjatë festës së titullit në Serie A me Napolin në fundjavë.

Mbrojtësi prishtinas u bë përfaqësuesi i parë i Kombëtares së Kosovës që e fiton titullin në Serie A, pas triumfit me Napolin këtë sezon.

Napoli e fitoi titullin e parë pas plot 33 viteve të enjten, pas barazimit 1:1 me Udinesen. Ishte titulli i tretë në historinë e klubit dhe i pari që nga viti 1990.

Gjatë tri ditëve feste, Rrahmani – i cili ishte kyç në skuadrën e Luciano Spallettit me dy gola e një asist në 25 ndeshje në ligë – nuk është parë duke e përdorur ndonjë simbol të shtetit të Kosovës.

Të dielën, Napoli e zhvilloi ndeshjen e parë në stadiumin e vet Diego Armando Maradona si kampion i ri i Italisë, duke e mundur 1:0 Fiorentinën, dhe pas ndeshjes lojtarët morën medaljet dhe prezantuan trofeun në një ditë të gjatë feste me tifozët.

Gjatë parakalimit përreth stadiumit, Rrahmani kishte të veshura fanellat zyrtare të klubit dhe barte një flamur të Napolit.

Rrahmani, 29 vjeç, nuk shfaqi ndonjë simbol të Kosovës as këtu as në rrjetet sociale, e as të Shqipërisë, të cilën e kishte përfaqësuar shkurtimisht para se Kosova të pranohej në UEFA dhe FIFA.

Për lojtarët nga Kosova është e zakonshme përdorimi i simboleve shtetërore, në veçanti flamurin, gjatë festimeve të trofeve me klubet e tyre përkatëse në Evropë.

Këtë e kishte bërë Xherdan Shaqiri në skenën më të madhe të futbollit evropian, kur e kishte fituar Ligën e Kampionëve me Bayern Munich, duke e shpalosur flamurin e Kosovës.

Së fundmi, Arbnor Muja e fitoi Kupën e Belgjikës me Antwerpin, dhe u fotografua me flamurin e Kosovës pranë trofeut.

Lajme të ngjashme