Arteta kritikon gjyqtarët: Rregullat nuk po zbatohen njësoj për të gjithë - NACIONALE

Arteta kritikon gjyqtarët: Rregullat nuk po zbatohen njësoj për të gjithë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka sugjeruar se zbatimi i paqëndrueshëm i rregullave nga gjyqtarët e Premierligës ka ndikuar në garën e klubit të tij për titull kampioni.

Topçinjtë u mundën 1:0 në shtëpi nga West Ham United të shtunën – humbja e tyre e parë në Emirates Stadium gjatë sezonit 2024/25 – dhe mbetën me një lojtar më pak pasi Myles Lewis-Skelly u ndëshkua me karton të kuq. VAR rekomandoi që Craig Pawson ta përjashtonte mbrojtësin e majtë, pasi ai i mohoi Mohammed Kudus një mundësi të pastër shënimi.

Fillimisht, Pawson i dha Lewis-Skellyt një karton të verdhë, me incidentin që ndodhi në vijën e mesfushës, por pozicionimi i David Rayas jashtë zonës së tij bëri një shansë thuajse të sigurt për Kudus.

Nuk pati sugjerime se vendimi i Pawson ishte i gabuar, por kartoni i kuq e çoi numrin e përjashtimeve të Arsenalit këtë sezon në pesë – më i larti në ligë.

Declan Rice dhe Leandro Trossard u përjashtuan më herët këtë sezon, pasi morën dy kartonë të verdhë, përfshirë paralajmërime për vonesë në rifillimin e lojës. Duke folur para udhëtimit të Arsenalit në Nottingham Forest të mërkurën, Arteta la të kuptohej se këto rregulla nuk janë zbatuar në mënyrë të njëjtë gjatë gjithë kampionatit.

“Po, ka disa raste ku mund të kishim vepruar ndryshe në kartonët e kuq që kemi marrë”, tha Arteta. “Por tani duket se rregullat po ndryshojnë sërish dhe nuk merren parasysh vendimet e mëparshme.

"Në disa raste, është shumë e vështirë ta ndryshosh situatën, sepse kur pyet lojtarin pse e mori atë vendim, është një reagim spontan. Një lëvizje apo një vendimmarrje e çastit që sjell pasojën. Këto gjëra janë të vështira për t'u kontrolluar. Megjithatë, kemi bërë hapa të mëdhenj këtë sezon, sepse me gjithçka që ka ndodhur, duhet të ishim në një situatë shumë më ndryshe”, shtoi spanjolli. "Nuk ka asnjë skuadër në historinë e Premierligës që, me pesë kartonë të kuq dhe kaq shumë dëmtime, të mbetej ende në këtë pozicion. Normalisht, me këto rrethana, do të ishim në mesin e tabelës dhe jashtë garës për Ligën e Kampionëve."

Arsenali tani është 11 pikë pas liderit Liverpool dhe e di se çdo gabim tjetër do ta bënte thuajse të sigurt që titulli i Premierligës të shkonte drejt Merseyside për herë të dytë në pesë vitet e fundit.

Lajme të ngjashme