Arteta konfirmon: Saka do të vazhdojë t'i gjuajë penalltitë për ne
Mikel Arteta ka konfirmuar se Bukayo Saka do të vazhdojë t’i gjuajë penalltitë për Arsenalin, edhe pse dështoi të shënojë në barazimin kundër West Hamit në fundjavë.
Përfaqësuesi i Anglisë dështoi të shënojë nga 11-metershi për ta çuar në 3:1 epërsinë e ekipit të tij, duke bërë që Arsenal t’i humbë dy pikë vendimtare në garën për titull, pasi West Hami u rikthye për të barazuar 2:2 në stadiumin e Londrës.
Kjo ishte hera e parë që Saka nuk shënoi penalltinë që nga finalja e Euro 2020 dhe më pas mori mbështetje nga ish-lojtarët e Arsenalit si Ian Wright, pasi ai u kërkoi falje tifozëve në rrjetet sociale që nuk arriti të shënonte.
Gjithashtu trajneri Arteta dha mbështetjen e tij për Sakan, duke konfirmuar se anësori do të vazhdojë t’i gjuajë penalltitë edhe në të ardhmen “Po. Nëse jo, do të hy në fushë dhe do t’ia jap vetë topin që ai të gjuajë tjetrën.”
Arteta lavdëroi Sakan dhe tha se i pëlqeu mënyrën sesi shokët e tij të skuadrës dhe tifozët e Arsenalit e trajtuan atë pas humbjes, duke shtuar: “Ai e do përgjegjësinë por gjithashtu mban barrë të madhe në vete. Përsëri, nëse ai ka dyshime se sa njerëz e duan, e respektojnë dhe e adhurojnë atë në klub mendoj që do të mallëngjehej nga reagimet e të gjithëve në klub. Në fund mendoj se është diçka pozitive që e ndihmon atë sepse të gjithë reaguan në mënyrë shumë të mirë ndaj tij sepse ai e meriton dhe është mënyra se si ai është.”
Saka ka qenë i jashtëzakonshëm këtë sezon për Arsenalin, duke i shënuar 13 gola dhe 10 asistime. Ai shënoi dy penalltitë e para të këtij sezoni ndaj Liverpoolit dhe Manchester Cityt./Orselina Lazraj/
