Arteta e kërkon ‘dështakun’ e Milanit te Arsenali
Trajneri Mikel Arteta e ka identifikuar sulmuesin e AC Milanit Charles De Ketelaere si “shënjestër” për afatin kalimtar veror.
Belgu dështoi të përshtatet në Serie A në sezonin debutues me “Rossonerët”, por ka nisur një jetë të re te Atalanta nën urdhrat e Gasperinit duke shënuar 10 gola dhe dhuruar shtatë asistime në 33 paraqitje në të gjitha garat.
De Ketelaere iu bashkua Atalantas nga Milani sezonin e kaluar në formë huazimi me opsion blerje për 26 milionë euro, por ekziston edhe një klauzolë tjetër e përfshirë që mund të bëhet aktive në verë.
“Caught Offside” raporton se Arteta e vlerëson De Ketelaere si një lojtar të vlefshëm që mund ta bëjë diferencën te Arsenali, ndërsa po e vëzhgon belgun që disa muaj.
23-vjeçari shihet si adekuati për t’iu përshtatur sistemit të Artetas dhe të garojë për vendin në formacionin zyrtar.
Interesim për belgun ka shprehur edhe Manchester United, mirëpo në rast të kalimit në Premierligë, lojtari do ta zgjedhte Arsenalin që garon edhe në Ligën e Kampionëve, si dhe ka një skuadër të mbushur me lojtarë të rinj.
Megjithatë, deri më tani asgjë s’është konkrete dhe ekziston shansi që Atalanta ta aktivizojë klauzolën e blerjes e pastaj ta shesë në verë.