Arteta dëshiron që Arsenali të bëhet 'mbreti i gjithçkaje'
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka thënë se dëshiron që skuadra e tij të bëhet mbreti i gjithçkaje, pasi Topçinjtë u vlerësuan shumë për golat e shënuar nga ndërprerjet.
Arsenali shënoi dy gola, që erdhen nga goditjet e këndit, në fitoren 2:0 ndaj Manchester United të mërkurën.
Këto goditje e çuan numrin e golave të Arsenalit nga këndi këtë sezon në 22 - pesë më shumë se çdo ekip tjetër në pesë ligat më të mira të Evropës.
Pas ndeshjes, ish-sulmuesi i Manchester United dhe Tottenham, Dimitar Berbatov e etiketoi Arsenalin si "Stoke City i ri" - një skuadër që shkëlqeu nga ndërprerjet gjatë një periudhe 10-vjeçare në Premierligë nga 2008 në 2018.
Duke folur të premten, Arteta tha se ai i mori fjalët e Berbatov si një "kompliment të madh", por i kërkoi skuadrës së tij të dominonte të gjitha aspektet e futbollit.
“Ne duam të jemi mbretërit e gjithçkaje”, tha ai.
"Nga ndërprerjet, më të mirët në botë; në presionin e lartë, më të mirët në botë; sulmi në hapësira të hapura, më të mirët në botë. Atmosfera dhe stadiumi më i mirë - më të mirët në gjithçka. Më parë nuk shënonim mjaftueshëm, nuk sfiduam, nuk fituam ndeshje të mëdha për 20 vjet. Ne duam të jemi më të mirët në gjithçka”.
Arsenali është në një seri prej katër fitoresh radhazi dhe është shtatë pikë prapa liderit të Premierligës, Liverpool.
Ata udhëtojnë për në Fulham të dielën dhe kanë mbrojtësit Gabriel dhe Riccardo Calafiori akoma në dyshime, pasi munguan sot në stërvitje.