Arsyetohet Lautaro Martinez: Në Kupën e Botës luajta me një problem në nyje të këmbës
Lautaro Martinez ishte futbollisti më i kritikuar i Argjentinës në Kupën e Botës për shkak të disa gabimeve që bëri. Ai së fundi u sqarua duke thënë se nuk e kishte të lehtë, pasi vuante nga një problem në nyje të këmbës.
Sulmuesi i Interit u prit ngrohtësisht me t’u kthyer nga Argjentina nga tifozët e skuadrës “zikaltër”, në shenjë përkrahje dhe konsiderate për Kupën e Botës që arriti ta fitojë.
Edhe pse ishte në qendër të kritikave nga shumë medie dhe tifozë të Argjentinës, Lautaro sqaroi se ka dhënë më të mirën për kombëtaren e tij që ta arrinte objektivin për t’u stolisur me trofeun e shumëdëshiruar.
Për herë të parë Lautaro tregoi se edhe kishte ndier një problem në nyje të këmbës dhe se një gjë e tillë e ka bërë të mos ndihej në 100%-shin e vet.
“Nuk prisja një Kupë të Botës të tilllë. Kam luajtur me një problem në nyje të këmbës dhe nuk isha i qetë. Megjithatë, kam dhënë gjithçka nga vetja dhe kam bërë më të mirën për të qenë përkrah bashkëlojtarëve”, tha ai.
25-vjeçari ka luajtur titullar për “Seleccion” në Kupën e Botës vetëm në dy ndeshjet e para të fazës së grupeve. Pasi nuk arriti ta bindte përzgjedhësin Scaloni, para tij u preferua sulmuesi i Manchester Cityt, Alvarez.
Në ndeshjet tjera ai është i inkuadruar vetëm nga pjesa e dytë. Disa raste për shënim që gaboi, përfshirë ato në ndeshjen finale kundër Francës, kanë nevrikosur një pjesë të tifozëve të Argjentinës.
