Arsenali mposht Tottenhamin me përmbysje dhe afrohet në garën për titull - NACIONALE

Arsenali mposht Tottenhamin me përmbysje dhe afrohet në garën për titull

1 vit më parë

nga NACIONALE

Arsenali është kthyer fuqishëm në garën për titullin kampion në Premierligë, duke fituar me përmbysje ndaj Tottenhamit sot në Emirates Stadium.

Topçinjtë fituan me rezultat 2:1, ndonëse ishin duke humbur fillimisht.

Skuadra e Mikel Artetës ka hyrë në formë të mirë së fundmi në elitën angleze, duke fituar katër dhe barazuar një në pesë ndeshjet e fundit, duke përfshirë edhe ndeshjen e sotme.

Përballja e sotme ishte për një nuancë në të mirë të vendasve, ndonëse edhe Spurs patën rastet e tyre në këtë ndeshje.

Tottenhami kaloi e para në epërsi me golin e Son Heung-Min në minutën e 25-të.

Vendasit nuk po tregonin shumë në pjesën e parë, por që në minutat e fundit arritën të përmbysinin gjithçka.

Fillimisht Solanke shënoi autogol në minutën e 40-të, me rezultatin që u barazua në 1:1.

Katër minuta më vonë në goditjen e parë në portë nga Arsenali, Trossard e çoi topin në rrjetë pas asistimit të Odegaard, për rezultatin 2:1, me të cilin përfundoi pjesa e parë.

Në 45 minutat në vazhdim nuk pati më gola të shënuar, me Arsenalin që kishte kontrollin e lojës, ndërsa mysafirët nuk gjuajtën asnjëherë më në portë.

Pas 90 minutave, Arsenali doli fitues nga Emirates, për të shkuar në kuotën e 43 pikëve, katër më pak se Liverpooli që është lider, por këta të fundit kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.

Tottenhami në anën tjetër po kalon momente të tmerrshme dhe gjenden në vendin e 13-të, pozitë që rrezikojnë ta humbasin pas kësaj humbje.

Lajme të ngjashme