Arsenali fiton në udhëtim te West Hami, afrohet në gjashtë pikë me Liverpoolin - NACIONALE

Arsenali fiton në udhëtim te West Hami, afrohet në gjashtë pikë me Liverpoolin

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Arsenali me shumë lehtësi ka shënuar fitore në udhëtim te West Ham United.

Topçinjtë triumfuan 5:2 në London Stadium, me të gjitha golat që u shënuan në pjesën e parë të takimit.

Skuadra e Mikel Artetës u karakterizua me konkretizim të rasteve, pasi që edhe vendasit u shfaqën disa herë të rrezikshëm.

Gabriel Magalhaes e hapi serinë e golave në minutën e 10-të, kur shënoi për 1:0, pas harkimit të Bukayo Sakas.

17 minuta më vonë Saka asistoi për Trossard, me këtë të fundit që dyfishoi rezultatin.

Kapiteni Odegaard ishte i saktë nga penalltia në minutën e 34-të, duke çuar rezultatin në 3:0, ndërsa dy minuta më vonë për 4:0 shënoi Kai Havertz.

West Ham United u kundërpërgjigj me dy gola të shpejtë, ku fillimisht Wan-Bissaka realizoi për 4:1, e pastaj edhe Emerson për 4:2.

Në minutat shtesë, Bukayo Saka, realizoi nga penalltia për 5:2, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë e takimit.

Në pjesën e dytë të përballjes nuk pati asnjë gol të shënuar, me Arsenalin që arriti ta menaxhonte ndeshjen, për të shkuar drejt fitores së tretë radhazi në të gjitha garat.

Topçinjtë tani janë në vendin e dytë me 25 pikë pas 13 ndeshjeve, gjashtë më pak se lideri, Liverpool, por këta të fundit kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.

Lajme të ngjashme