Arsenali fiton me lehtësi ndaj Crystal Palaces, afrohet në dy pikë me liderin Liverpool
Arsenali është kthyer te fitoret pas katër ndeshjeve radhazi me rezultate negative, duke mposhtur në Fly Emirates Crystal Palacen me rezultat 5:0, kështu për t'u afruar në dy pikë me liderin Liverpool, këta të fundit me një ndeshje më pak të zhvilluar.
Topçinjtë në katër takimet e fundit, kanë pësuar tri humbje dhe kanë barazuar një herë, duke përfshirë një humbje të hidhur nga Liverpool në Kupën FA.
Skuadra e Mikel Artetës nuk bëri paraqitjen më të mirë të mundshme, por kësaj radhe konkretizuan rastet në përpikëri, teksa mysafirët përkundër disa rasteve të mira nuk ia dolën të shënojnë fare.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 11-të, kur Declan Rice harkoi në zonë, me Gabriel Magalhaes që ishte më i zoti për të shënuar me kokë për 1:0.
Nënkampioni i Premierligës shënoi edhe një herë gjatë pjesës së parë.
Bukayo Saka harkoi nga këndorja, me mbrojtësin Gabriel që e devijoi topin në drejtim të portës, teksa autogol shënoi portieri Dean Henderson, që aksidentalisht preki topin, për rezultatin 2:0, me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Arsenali nuk i la asgjë rastit dhe shënoi edhe tre herë deri në përfundim të ndeshjes.
Një kundërsulm i shpejtë në minutën e 59-të i nisur nga Gabriel Jesus, i cili asistoi për Leandro Trossard, me belgun që bëri veprim të bukur mashtrues, për të shënuar lehtësisht për 3:0.
Për rezultatin 4:0 shënoi Gabriel Martineli në minutat shtesë, i asistuar nga Eddie Nketiah, që mori një top në gjysmë të fushës në një kundërsulm të shpejtë.
Martineli shënoi edhe të dytin personal pak sekonda më pas, i asistuar në mënyrë fantastike nga Jorginho.
Skuadra londineze me këtë fitore shkon në kuotën e 43 pikëve aq sa ka Manchester City në vendin ne dytë, dhe dy më pak se Liverpool në vendin e parë. Kujtojmë se dy skuadrat e përmendura kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.