Arsenali fiton dramën e pesë golave ndaj Liverpoolit
Arsenal ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në shtëpi ndaj rivalit Liverpool, në kuadër të derbit kryesor për xhiron e 10-të në Premierligë.
"Topçinjtë" triumfuan me rezultat të ngushtë 3:2, në sfidën që u zhvillua në "Emirates Stadium".
Pas vetëm një minuti lojë, Martin Odegaard me një super asistim gjeti Gabriel Martinellin që realizoi në portën e Alisson për 1:0.
Pas golit të pranuar, Liverpool nisi sulmet e njëpasnjëshme duke kërkuar edhe një penallti me Gabriel që preku topin me dorë, por që nuk u vlerësua nga VAR-i.
Sidoqoftë, "Reds" arritën ta barazojnë rezultatin përmes qendërsulmuesin Darwin Nunez që shënoi nga afërsia pas një asistimi të bukur nga Luis Diaz (34').
Në përfundimin e pjesës së parë, kur askush nuk e priste, vendasit ndërtuan një kundëraksion të jashtëzakonshëm me Gabriel Martinellin që asistoi për Bukayo Sakain, që shënoi nga afërsia (45+5').
Në pjesën e dytë, Arsenal prapë rrezikoi fillimisht përmes Odegaard, mirëpo Alisson bëri një super pritje që të mos e lejojë topin të përfundojë në rrjetë.
Sidoqoftë, ishin mysafirët që gjetën rrugën drejtë golit, këtë herë përmes të inkuadruarit Roberto Firmino që shënoi me një goditje të bukur pas një pasimi të saktë të Diogo Jotas (53').
Arsenal prapë nuk u dorëzua dhe gjetën sërish golin, që këtë herë doli të jetë i pikëve të plota përmes Sakas, i cili realizoi nga pika e bardhë pas një penalltie të fituar nga Gabriel Jesus, me brazilianin që u faulla nga Thiago Alcantara (76').
Kështu, Arsenal merr një tjetër fitore të rëndësishme duke u rikthyer si lider në Premierligë me 24 pikë të mbledhura, derisa kriza e Liverpoolit vazhdon duke qenë në pozitën e 10-të me 10 pikë.
Në xhiron e radhës, Arsenal do të jetë mysafir i Leeds Unitedit, derisa Liverpoolin e pret një tjetër sfidë tejet e vështirë, këtë herë si nikoqir i Manchester Cityt.