Arsenal rimerr pozitën e katërt - rriten shpresat për kualifikim në Ligën e Kampionëve
Arsenal ia ka dalur të fitojë ndaj Leicester pa shumë vështirësi në Emirates për ta rimarrë prapë pozitën e katërt, duke kapërcyer kështu Manchester Unitedin në renditjen tabelare, si dhe me tri ndeshje ende për t'i rekuperuar.
Topçinjtë arritën një fitore të madhe ndaj Leicester, duke fituar me rezultat 2 me 0, me golat që u shënuan nga Thomas Partey dhe Alexandre Lacazzete që dyfishoi rezultatin nga pika e bardhë.
Leicester para ndeshjes duhet të bënte llogaritë me mungesën e madhe të Jamie Vardy, pa të cilin sulmi i tyre bëhet më i lexueshëm dhe më i zbehtë, njësoj siç u demonstrua edhe sot.
Në anën tjetër skuadra e Arsenal u tregua mjaft e qartë në aksionet e tyre sulmuese. Gjatë minutës së 11-të, në një këndore të ekzekutuar nga pjesa e majtë e fushës nga braziliani Martinelli, ishte Thomas Partey ai që kërceu më së larti para shtyllës së parë, duke e devijuar topin me kokë në trekëndshin e portierit danez, Kasper Schmeichel, për epërsinë 1 me 0.
Skuadra mysafire u munda me disa aksione t'i kundërvihej Arsenalit gjatë minutave që pasuan pas golit të pranuar, por i vetmi rast që vlen të cekët është ai i Harvey Barnes, i cili në minutën e 36-të, ishte afër ta barazojë rezultatin, por ishte Aaron Ramsdale ai që bëri mrekullinë me anë të një pritje për kartolinë. Thjesht, e magjishme!
Për të kuptuar se çfarë impakti mahnitës ka pasur portieri i ri anglez, vlen të ceket fakti që Arsenal ka ruajtur portën e zbrazur në 12 ndeshje nga 26 sa i ka luajtur gjithsej.
Kësisoj, Arsenal vazhdoi ta ruajë rezultatin, me të cilin edhe skuadrat shkuan në zhveshtore në fund të pjesës së parë. Kurse në pjesë të dytë u zhvillua për më shumë një ndeshje taktike, me lojë të kujdesshme nga të dyja palët, ku në fund ekipi i Arsenal ishte më pragmatik. Në minutën e 55-të qendërmbrojtësi turk, Caglar Soyuncu, preku topin me dorë. Gjyqtarët nga kabina e VAR-it e konfirmuan një gjë të tillë, për t'ia akorduar Arsenalit penaltinë, e cila u ekzekutua nga Alexandre Lacazzete, nëpërmjet të cilit gol skuadra londineze vulosi edhe fitoren.
Sulmuesi francez po kalon në një formë të shkëlqyer, ku duhet thënë se në 11 paraqitjet e tij të fundit, plot 10 herë është përfshirë drejtpërdrejt në golat që ka shënuar skuadra e tij - ku kontriboi me 3 gola dhe 7 asiste.
Në minutat e fundit nikoqirët thjesht e administruan tej mase mirë rezultatin, për t'i arkëtuar tri pikët e plota të radhës.
Deri në fund të kampionatit Arsenal ka për t'i zhvilluar edhe 12 ndeshje tjera, me një përparësi të konsiderueshme ndaj Arsenal, marrë parasysh që prinë me 1 pikë para tyre në renditjen tabelare dhe me dy ndeshje më pak, të cilat do t'i rekuperojë në javët në vazhdim.
Menjëherë të merkurën skuadra e Mikel Arteta do ta rekuperojë njërën prej sfidave të mbetura dhe ajo është pikërisht ndaj Liverpool. Ky takim do të fillojë me fillim në ora 21:15.
Vlen të theksohet që kjo ishte fitorja e pestë radhazi në kampionat për topçinjtë, çka i bën më shpresë të kthehen në Ligën e Kampionëve, ku mungojnë që prej edicionit 2016/2017.