Arsenal rikthen interesimin për Douglas Luiz
Arsenal mbetet i interesuar për të tentuar transferimin e sulmuesit Douglas Luiz nga Aston Villa, pas një fillimi shkëlqyes këtë sezon.
“Topçinjtë” duan të shtojnë një mesfushor në skuadër gjatë afatit dimëror dhe tani po vëzhgojnë shumë lojtarë nga Evropa dhe Amerika Jugore.
“90min” raporton se në listën e skuadrës londineze ndodhen emra si Andre i Flumineses, Quinten Timber i Feyenoordit dhe Javi Guerra i Valencias.
Sidoqoftë, Arsenal pritet të tentojë fillimisht blerjen e Luizit, që po shkëlqen në Premierligë ku ka shënuar në gjashtë ndeshjet e fundit.
Arsenal kishte provuar ta transferonte Luizin edhe më parë, më saktësisht në vitin 2022 duke bërë tre oferta zyrtare (më e larta ishte në vlerën e 25 milionë funteve), mirëpo të gjitha u refuzuan nga Aston Villa.
Pavarësisht kësaj, interesimi i Arsenalit mbetet i njëjtë me Mikel Artetan dhe Edu që e pëlqejnë shumë lojtarin. Përpos kësaj, tekniku spanjoll e njeh mirë Luizin që kur ishte pjesë e Manchester Cityt, ku bashkëpunuan dy vite.
Sidoqoftë, problemi mbetet i njëjtë si në vitin e kaluar, pra Aston Villa që e shohin brazilianin si të paprekshëm dhe duan ta mbajnë së paku deri në verë pasi po synojnë një mrekulli – kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
Aston Vila ka fituar 19 pikë në nëntë xhirot hapëse në Premierligë, duke u renditur në pozitën e pestë për momentin, derisa shihet si favoriti për ta fituar krejt Ligën e Konferencës.