Arsenal po e humb “yllin unik” që e krahasonin me Bukayo Sakan
Arsenal thuhet se është afër ta humbë talentin Charlie Patino në afatin kalimtar veror, pasi Mikel Arteta ka ndryshuar mendjen për të ardhmen e lojtarit.
Patino shënoi në debutim për Arsenalin në çerekfinalen e Carabao Cup ndaj Sunderlandit dhe është vlerësuar jashtëzakonisht lartë brenda në klub.
Mesfushori i Anglisë U21 është vlerësuar ndër lojtarët e rinj më të mirë në akademitë e klubeve nga “The Guardian”, ndërsa legjenda Cesc Fabregas e kishte krahasuar me Frenkie de Jong.
Në muajin tetor, Arteta i kishte thënë Patinos se do ta kishte shansin për të tentuar të hyjë në ekipin e parë. Mirëpo, tani tekniku spanjoll ka ndryshuar mendje dhe është i hapur për ta lejuar të largohet, raporton “Evening Standard”.
Klubet në Spanjë kanë shprehur interesim për 20-vjeçarin dhe një transferim i tillë s’do të ishte aspak i vështirë shkaku që ka pasaportë spanjolle falë babait të tij.
Ende nuk është e qartë se cilat klube në La Liga kanë interesim për Patinon, mirëpo disa yje anglezë si Jude Bellingham e Mason Greenwood së fundmi kanë kaluar në Spanjë dhe impresionuar me paraqitje.
Patino ka edhe një vit të mbetur në kontratë me Arsenalin, andaj klubi londinez preferon shitjen në mënyrë që të mos e humbasë si agjent të lirë.