Arsenal i bashkohet garës për Xavi Simons
Arsenal ka shprehur interesim serioz për mesfushorin e Paris Saint-Germain Xavi Simons, që momentalisht është i huazuar te RB Leipizg.
Produkti i akademisë së Barcelonës është duke shkëlqyer te gjiganti gjerman, ku ka shënuar katër gola dhe dhuruar shtatë asistime në 17 paraqitjet e para në Bundesliga.
Sipas gazetës së njohur gjermane “Sport Bild”, Leipzig dëshiron t’ia vazhdojë huazimin deri më 2025 holandezit por PSG ende s’ka marrë vendim për të ardhmen.
Raporti shton se Arsenal është ndër klubet më të interesuara pranë Inter Milanit dhe Barcelonës, edhe pse deri më tani asnjëra nga klubet nuk ka bërë ndonjë lëvizje konkrete.
Arsenal e ka përcjellë disa herë mesfushorin me tipare ofansive, mirëpo nuk kanë bërë asnjë lëvizje konkrete shkaku që prioritet e kanë afrimin e një top qendërsulmuesi, me emra si Ivan Toney, Victor Osimhen dhe Alexander Isak në listë.
Duke folur për mediat britanike javën e kaluar Mikel Arteta konfirmoi se ekziston mundësia që “Topçinjtë” të mos investojnë në afatin kalimtar dimëror.
“Po, është mundësi. Do të punojmë me klubin për të parë nëse kemi ndonjë mundësi dhe nëse ka ndonjë opsion të mirë”.
“Por, fillimisht të fokusohemi te lojtarët që tashmë kemi”, deklaroi ai.