Arsenal fiton derbin ndaj Sevillas, Inter dhe Sociedad avancojnë tutje
Arsenal ka triumfuar në derbin ndaj Sevillas, derisa “biletën” për në raundin e 16-të e kanë siguruar edhe Inter dhe Real Sociedad.
“Topçinjtë” e mposhtën sërish Sevillan, këtë herë në “Emirates” me rezultat 2:0.
Skuadra londineze ishte më dominuese nga minuta e parë duke krijuar raste fantastike.
Kai Havertz vazhdon formën e mjerueshme ku edhe pse ishte titullar dështoi të shënonte nga afërsia, duke humbur një rast të artë ani pse s’po e ruante askush nga mbrojtja mysafire.
Sidoqoftë, me një aksion të shkëlqyeshëm Arsenali kaloi në epërsi. Bukayo Saka e vendosi Leandro Trossardin përballë portierit, ku nuk e kishte të vështirë të shënonte nga afërsia (29’).
Fitoren e londinezëve e vulosi vetë Saka, që realizoi një solo gol duke bërë një driblim dhe më pas e finalizoi për mrekulli (64’).
Arsenal tani ka nevojë vetëm për një fitore që të avancojë tutje si lider pasi ka nëntë pikë, katër më shumë se PSV dhe Lens në pozitën e dytë derisa Sevilla qëndron në fund me dy sosh.
Në anën tjetër, Inter dhe Real Sociedad gjithashtu edhe matematikisht kanë siguruar kualifikimin në raundin e eliminimit direkt.
Inter triumfoi me shumë vështirësi në udhëtim te RB Salzburgu, edhe pse mysafirët dominuan por deri vonë s’i finalizuan rastet.
Kapiteni Lautaro Martinez bëri heroin me një gol nga pika e bardhë (86’).
Kësisoj, Real Sociedad dhe Inter avancojnë tutje nga grupi D me nga 10 pikë derisa Benfica dhe Salzburg do të luftojnë për vendin që të shpie në Ligën e Evropës.