Arrihet marrëveshja, Egzon Sinani kthehet te Ballkani
Qendërmbrojtësi kosovar, Egzon Sinani, nuk do të largohet në drejtim të kampionatit të Shqipërisë, pasi siç mëson Nacionale, ai tani ka arritur marrëveshje me kampionin e Kosovës, Ballkanin.
Fillimisht 30-vjeçari ishte në bisedime me Flamurtarin e Vlorës që bënë gara në kategorinë e dytë në Shqipëri dhe ishte shumë afër kalimit në atë skuadër, por gjërat tani kanë marrë kahje tjetër.
Egzon Sinani do të jetë përforcimi i radhës i Kampionit të Kosovës, Ballkanit, ku luajti edhe më herët, madje duke u paraqitur edhe në Ligë të Konferencës, në sezonin historik, kur u arrit pjesëmarrja e parë në grupet e asaj gare.
Sinani së fundmi ishte pjesë e klubit kryeqytetas, FC Prishtina, me të cilët ndau rrugët në përfundim të sezonit me marrëveshje të dyanshme.
Ai ka shumë përvojë në futbollin kosovar, pasi karrierën e filloi me Llapin që nga Liga e Parë, duke u inkuadruar në Superligë, e pastaj për t'u transferuar te Ballkani, ku fitoi gjithçka që mund të fitohet në futbollin kosovar.
Futbollisti llapjan karrierën më pas e vazhdoi te Gjilani, nga ku u transferua te Prishtina.
Pas më shumë se një viti prej largimit të tij nga klubi suharekas, ai kthehet te Ballkani, ku për pak kohë pritet të bëhet zyrtare transferimi i tij në faqën zyrtare të klubit.