Arne Slot e synon transferimin e yllit të Juventusit te Liverpooli
Liverpooli prej kohësh e ka admiruar lojën e yllit të Juventusit, Federico Chiesa, dhe siç raportohet tani, Arne Slot do të tentojë që ta sjellë atë në Anfield në afatin kalimtar veror.
Sipas GiveMeSport, klubi nga Merseyside ka monitoruar sulmuesin italian për disa vite dhe tani, me planet e tyre të transferimit të rindezura pas emërimit të Arne Slot si trajner, ata po shtojnë përpjekjet e tyre për të transferuar Chiesan. Skautët e Liverpoolit thuhet se ishin të pranishëm në finalen e Kupës së Italisë, ku Chiesa luajti një rol vendimtar në fitoren 1:0 të Juventusit ndaj Atalantës, duke siguruar trofeun e tyre të parë në tre vjet. Performanca e 26-vjeçarit nuk kaloi pa u vënë re, dhe transferimi i tij i mundshëm mund të ofrojë një rritje të konsiderueshme për opsionet sulmuese të Liverpoolit.

Kontrata aktuale e Chiesas me Juventusin do të skadojë në fund të sezonit të ardhshëm, në vitin 2025, gjë që mund t'i detyrojë bardhezinjtë të ndajnë rrugët me lojtarin me një çmim të ulur nëse nuk arrijnë të negociojnë një zgjatje. Bisedimet për kontratën kanë ecur me një ritëm të ngadaltë, gjë që ka inkurajuar më tej të kuqtë të bëjnë një lëvizje për lojtarin. Sidoqoftë, një paraqitje e fortë në turneun e ardhshëm të Euro 2024 në Gjermani mund ta shtyjë Juventusin të kërkojë një tarifë më të lartë transferimi.
Pavarësisht admirimit të Liverpoolit për Chiesan, aspekti financiar i marrëveshjes mund të përbëjë një sfidë. Paga e vlerësuar e Chiesas prej 183,000 funte në javë do të ishte një shtesë e rëndësishme në listën e pagave të Liverpoolit. Për më tepër, me Mohamed Salah që ka të ngjarë të qëndrojë në Anfield për një sezon tjetër, Chiesa mund t'i duhet ta pranojë bankën rezervë nëse vendos të bashkohet me Liverpoolin.

Është raportuar se në garë për të siguruar Chiesan janë edhe Roma dhe Napoli. Të dy klubet mund t'i ofrojnë Chiesas një rol titullari, duke i bërë potencialisht destinacione tërheqëse. Megjithatë, joshja e të luajturit në Premierligë mund të ndikojë në vendimin e Chiesas në favor të Liverpoolit.