Armando Broja e shpëton Chelsean nga humbja, pa fitues në "dramën" e tetë golave
Chelsea dhe Manchester City kanë ndarë pikët në kryederbin e xhiros së 12-të në Premierligë.
Derbi anglez ishte dramatik nga minuta e parë, me dy skuadrat që dhanë gjithçka ku epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 4:4.
Man City e nisi më mirë duke kaluar në epërsi përmes Erling Haaland, që realizoi nga pika e bardhë pais u faullua brenda zonës (25’).
Chelsea u kundërpërgjigj shpejtë me Thiago Silvan që shënoi me kokë pas harkimit të Conor Gallagher (29’).
Tetë minuta më vonë, Chelsea krijoi një kundërzbritje fantastike me Raheem Sterling që përmbysi epërsinë pas asistimit të Reece James (37’).
Sidoqoftë, Man City doli sërish në skenë me mbrojtësin Manuel Akanji që realizoi me kokë pas harkimit të Bernardo Silvas (45+1’).
Mysafirët sërish e nisën më mirë duke kthyer epërsinë përmes Haaland, i cili shënoi nga afërsia pas asistimit të Julian Alvarezit (47’).
Por, Chelsea s’u dorëzua prapë duke e barazuar sërish rezultatin. Këtë herë ishte Nicolas Jackson që shënoi pas një topi të kthyer nga goditja e Gallagher (69’).
Mirëpo, kur askush s’e priste ishte Rodri që riktheu epërsinë e Cityt me një goditje distanca që u devijua nga Silva dhe përfundoi brenda rrjetës (86’).
Por, hero i Chelseas ishte sulmuesi shqiptar Armando Broja që fitoi penallti në kohën shtesë me Palmer që e konkretizoi në rrjetë (90+5’).
Man City tani është lider i vetëm në Premierligë me 28 pikë derisa Chelsea zë pozitën e 11-të me 15 sosh.