Armand Duka rizgjidhet president i FSHF-së për herë të gjashtë
Armand Duka është rizgjedhur president i Federatës së Futbollit të Shqipërisë (FSHF), për herë të gjashtë, me shumicë dërrmuese votash.
Duka i mundi kundërshtarët e tij Sulejman Starova dhe Dritan Shakohoxha për një mandat të ri rekord të martën.
Në Asamblenë e Përgjithshme të mbajtur sot në Tiranë, 59-vjeçari i fitoi 37 nga 43 vota, duke e lënë mbrapa Starovën me vetëm katër vota.
Shakohoxha, një komentatori i njohur sporti në botën shqiptare, nuk e mori asnjë votë. Ndërkohë, dy vota ishin të pavlefshme.
Në fjalët e tij të para pasi e fitoi mandatin e ri, Duka tha se do të mundohet t’i korrigjojë të gjitha vërejtjet që i ka marrë rreth punës së tij, derisa i ka falënderuar për besimin e dhënë të gjithë votuesit e tij.
“Jam i emocionuar dhe i obliguar për këtë votëbesim. Secili mund të ketë vërejtje për mua, por do t’i respektoj dhe do të mundohem t’i korrigjoj gjatë drejtimit të katërvjeçarit të radhës”, tha Duka.
“Kam dëgjuar ofendime, por do të shmang me sportivitet shpifjet dhe ofendimet që do të vijnë. Dëshiroj të lej pas çfarë kemi kaluar në këto muaj për tu përqendruar te futbolli. Ju falënderoj për besimin dhe do të jem krah jush në katër vitet e ardhshme”, shtoi ai./Nacionale/