Arlind Ajeti humb dy ndeshjet e Shqipërisë, Sylvinho fton yllin e Lokomotiva Zagrebit
Mbrojtësi i Clujit Arlind Ajeti ka humbur dy ndeshjet e ardhshme të kombëtares së Shqipërisë shkaku i lëndimit, dhe përzgjedhësi Sylvinho e ka zëvendësuar me Jon Mersinaj të Lokomotiva Zagrebit.
Ajeti ishte ftuar nga Sylvinho për ndeshjet ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, mirëpo fatkeqësisht pësoi lëndim në ndeshjen e fundit derisa përfaqësonte Clujin.
Kësisoj, pas skanimeve është rezultuar se Ajeti ka një dëmtim në muskujt e kofshës së majtë dhe i nevojiten me patjetër disa ditë pushim para se të nis rikuperimin.
“Ka një ndryshim në listën e Kombëtares për dy ndeshjet e fundit të kualifikueseve të Euro 2024 ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se mbrojtësi Arlind Ajeti nuk do të jetë i gatshëm për këto dy sfida për shkak dëmtimi”, shkruan FSHF.
Kështu, Sylvinho e ka zëvendësuar me mbrojtësin Jon Mersinaj që po shkëlqen këtë sezon te Lokomotiva e Zagrebit, i cili do t’i bashkohet kombëtares në orët në vazhdim.
“Në këto kushte, trajneri Sylvinho ka vendosur të thërrasë për këto dy ndeshje mbrojtësin Jon Mersinaj, i cili do të bashkohet me ekipin në orët në vazhdim. Lojtarët e tjerë nuk kanë probleme fizike dhe i gjithë grupi pritet të plotësohet gjatë mbrëmjes së të hënës”.
Mersinaj ka vetëm një paraqitje deri më tani për Shqipërinë, derisa këtë sezon ka zhvilluar 13 ndeshje për klubin kroat, duke qenë 12 herë titullar.