Arbër Zeneli vazhdon formën e mirë - asiston për golin e epërsisë së Reims
Arbër Zeneli është rikthyer në formë të lakmueshme pas një lëndimi që e la për një kohë të gjatë larg fushave të blerta. Edhe sot sërish dhuroi asist. I treti me radhë në tri ndeshje të zhvilluara së fundmi.
Që prej minutave të para të takimit, ai është treguar mjaft shumë i pranishëm në aksionet sulmuese të Reims. Në minutën e 20-të krosoi për mrekulli për Faes, por qendërmbrojtësi habitshëm 2 metra përballë portës nuk ia doli të shënojë. Pak minuta më vonë, respektivisht në të 24-en, topi i devijuar nga Arbër Zeneli shkoi te Filips, i cili shënoi për 0 me 1.
Kjo është hera e parë në këtë vit kalendarik që Arbëri e fillon një ndeshje nga minuta e parë si startues.
Fantazistit me origjinë nga Mitrovica petku i titullarit në ndeshje kampionale i mungonte nga maji i vitit të kaluar, pasi u tregua i pafat, duke u lënduar heraherës përgjatë kësaj periudhe.
Kurse sot 60 minuta zgjati ndeshja për të dhe ajo që vlen të cekët është se asisti që regjistroi, ishte përcaktues për ta vulosur fatin e sfidës me Reims që rrembeu pikët e plota.
Një tjetër lajm i mirë që mund të konstatohet nga kjo ndeshje ka të bëjë me rikthimin e Valon Berishës, i cili u rikthye nga lëndimi pas plot 3 muajsh, pasi i njëjti u lëndua në gjysmën e muajit dhjetor.