Anthony Joshua e pranon ofertën e Tyson Furyt për luftën e shumëpritur
Kampioni i botës në kategorinë e rëndë në WBC, Tyson Fury, ia ka dhënë Anthony Joshuas një mundësi për të luftuar për rripin e tij në fund të këtij viti.
Fury, 34 vjeç, është në kërkim të një kundërshtari, pasi Oleksandr Usyk, kampion në WBA, WBA dhe IBF, tha se nuk do të kthehej në ring deri në vitin 2023.

Joshua, i cili u mposht nga ukrainasi në Arabinë Saudite muajin e kaluar, iu përgjigj sfidës së Furyt duke thënë se do të jetë i gatshëm në dhjetor.
Fury kishte thënë në prill se do të pensionohej.
Por në një video të postuar të hënën vonë në rrjetet sociale, Fury tha: “Të gjithë ju keni dëgjuar se unë do të luftojë brenda pak muajsh, dhe para se të njoftoj se kush do të jetë kundërshtari im i radhës, më duhet ta bëj këtë për çdo rast”.
“Anthony Joshua, e di që ju sapo e keni humbur luftën ndaj Usyk dhe tani për tani nuk mbani asnjë rrip, prandaj dua t’jua jap mundësinë për të luftuar për titullin e kampionit të botës në kategorinë e rëndë në WBC në muajt në vazhdim”.
Call out to @anthonyjoshua @WBCBoxing @frankwarren_tv @trboxing #uk 😎✅pic.twitter.com/P4Yw4mtW1R
— TYSON FURY (@Tyson_Fury) September 5, 2022
Fury shtoi: “Ju vini nga një luftë me 12 runde, prandaj jeni i përgatitur për meç, ju jeni i gatshëm, po ju jap disa muaj kohë. Nëse je i interesuar, do të ta dërgoj datën dhe mund të luftojmë – një betejë britanike për kampionin e botës në kategorinë e rëndë në WBC”.
Joshua nuk vonoi shumë për t’iu përgjigjur bashkëatdhetarit të vet, duke shprehur gatishmëri për të luftuar në dhjetor.
“Po, qetësohu. Unë nuk diskutoj online.... Do të jem i gatshëm në dhjetor”, tha Joshua.

Fury kishte thënë se po pensionohej pasi e undi Dillian Whyte në prill, dhe e përsëriti këtë pretendim disa muaj më vonë.
Por të shtunën ai tha se do të njoftojë për kundërshtarin e radhës javën e ardhshme, megjithëse konfirmoi se nuk do të ishte Usyk.

