Ansu Fati e Raphinha kandidatë për ta zëvendësuar Mo Salahun te Liverpooli
Liverpool është duke konsideruar dyshen e Barcelonës Ansu Fati dhe Raphinha si zëvendësues potencial për sulmuesin Mohamed Salah.
Egjiptiani pritet të largohet në verë nga “Anfield”, ku ka vetëm 18 muaj të mbetur në kontratë dhe është ende e paqartë nëse do të rinovojë.
Klubet arabe, sidomos Al Ittihad e kanë bërë prioritet transferimin e Salahut dhe janë të gatshëm ta bëjnë lojtarin më të paguar në botë që të realizohet një gjë e tillë.
Sipas “TEAMtalk”, Liverpool është “pajtuar” me shitjen e mundshme të egjiptianit dhe tani po shikojnë disa zëvendësues, me Fatin dhe Raphinhan që i prinë kësaj liste.
Të dy lojtarët janë nën pronësinë e Barcelonës dhe duke marrë parasysh gjendjen financiare të katalunasve, asnjëri prej tyre s’është i paprekshëm.
Fati mund të largohet qysh këtë verë meqenëse vetëm është huazim te Brightoni, ku ka shënuar katër gola dhe dhuruar një asistim por po vazhdon të ketë probleme me lëndime.
Ndërkohë, Raphinha është duke tentuar ta gjejë vetën te Barcelona, por edhe pse ka bërë 15 paraqitje si titullar nuk është që vlerësohet lartë brenda klubit.
Barcelona do të kërkonte minimum 50 milionë euro për secilin lojtarë, vlerë të cilën Liverpool mund ta paguajë lehtësisht – gjithnjë nëse e shesin Salahun për 100 milionë euro, ofertë që e refuzuan në janar.