Anipse vuajti shumë, Real Madridi mposht Athletic Bilbaon duke vazhduar garën për titull - NACIONALE

Anipse vuajti shumë, Real Madridi mposht Athletic Bilbaon duke vazhduar garën për titull

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Real Madridi shënoi një fitore té rëndësishme në udhëtim, duke mposhtur në udhëtim 2:0 Athletic Bilbaon. Kampionët në fuqi ndonëse hasën në shumë vështirësi, arritën që me anë të dy golave të mrekullueshëm ta vazhdojnë ndjekjen e titullit.

Skuadra e Ancelottit nuk shkëlqeu në lojë, por arkëtoi prapëseprapë pikët e plota. Pas fitores që shënoi disa orë më herët Barcelona, për “Galaktikët” ishte e rëndësishme që të mos lejonin që të krijohej një distancë më e theksuar në renditjen tabelore.

Ai që i pari shënoi për epërsinë e Real Madridit ishte Benzema. Sulmuesi francez në minutën e 24-të pas një goditje të mahnitshme brenda zonës, la të shtangur portierin e skuadrës baske, duke shënuar për 0:1.

Në vazhdim Athletic Bilbao rriti intensitetin e sulmeve, duke e vë në vështirësi Real Madridin. Megjithatë, mbrojtja madrilene arriti që t’i neutralizojë mirë sulmet e vendësve.

Edhe më të theksuara sulmet e nikoqirëve ishin në pjesën e dytë, kur volumi i lojës ishte më i ndjeshëm. Fatmirësisht për mysafirët mbrojtja ishte në nivel të detyrës, duke shmangur çdo mundësi që të pësohej goli.

Për t’i qetësuar tifozët e Real Madridit dhe vetë stafin teknik gjegjës, në fund të takimit doli në sipërfaqe Kroos. Mesfushori gjerman në minutën e 90-të me një goditje empirikisht të saktë mposhti portierin vendës, duke shënuar për 0:2 (VIDEO).

Me këtë rezultat përfundoi edhe ky takim. Për Real Madridin ishte një fitore tejet domethënëse, pasi ia mundëson që ta vazhdojë garën për titull kampion, ku synon që ta mbrojë titullin, pasi ngadhënjeu gjatë edicionit të kaluar të La Ligas.

Pas kësaj ndeshje Real Madridi shkon në kuotën e 41 pikëve në renditjen tabelore, duke zënë pozitën e dytë. Distanca me kreun e tabelës, gjegjësisht Barcelonën, është vetëm 3 pikë.

Përmbledhja e ndeshjes Athletic Bilbao - Real Madrid:

Lajme të ngjashme