Anglia jo bindëse ndaj Sllovenisë, por kualifikohet në 1/8 e finales si lidere e grupit C
Kombëtarja e Anglisë, ka pasur paraqitjet më jo bindëse nga të gjithë favoritët në këtë Evropian, por pavarësisht kësaj, pas barazimit 0:0 me Slloveninë, ata janë kualifikuar në 1/8 e finales si lidere e grupit C.
Tre Luanët fituan 1:0 ndaj Serbisë në xhiron e parë, për të barazuar pastaj me Danimarkën 1:1, ndërsa sot luajti pa gola me Slloveninë, kështu duke grumbulluar pesë pikë, në një grup relativisht të lehtë, kur dihet se janë cilësuar si favoritët kryesorë për të triumfuar në EURO 2024.
Takimi i sotëm u zhvillua në stadiumin e qytetit të Kolnit, skuadrës së Bundesligës 2, me Anglinë që sërish kishte një paraqitje zhgënjyese në raport me pritshmëritë.
Pjesa e parë i takoi anglezëve me dy raste shënimi, të cilat u ndalen nga Oblak, teksa shënuan një gol me Bukayo Saka, por paraprakisht kishte pozicion jashtë loje, për t'u anuluar goli.
45 minutat e pjesës së dytë ishin shumë të mërzitshme nga të dy skuadrat, me shumë pak raste të krijuara, e vetëm posedim të topit nga Anglia.
Si përfundim, Kombëtarja e Anglisë barazoi me Slloveninë 0:0, për ta mbyllur grupin C si lidere me pesë pikë të grumbulluara në tri ndeshje.
Në anën tjetër, Sllovenia ende ka gjasa për kalimin e grupit nga vendi i tretë, me Danimarkën që përfundoi në vendin e dytë.
Anglia në 1/8 e finales do të përballet me njërën nga skuadrat e vendeve të treta të grupeve D, E, F.