Anglia ‘e shkatërron’ Maqedoninë e Veriut, Rumania në 'frymën e fundit' barazon ndaj Zvicrës, Franca e mposht Greqinë - NACIONALE

Anglia ‘e shkatërron’ Maqedoninë e Veriut, Rumania në 'frymën e fundit' barazon ndaj Zvicrës, Franca e mposht Greqinë

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Anglia e ka shkatërruar tërësisht Maqedoninë e Veriut duke e mposhtur me rezultat 7:0, kështu duke mbetur skuadra e vetme në grupin C që ka të gjitha fitore në katër takime, në anën tjetër Rumania me dy gola në fundin e takimit ka barazuar 2:2 me Zvicrën, e Franca me rezultat minimal 1:0 e ka mposhtur Greqinë.

Angli – Maqedoni e Veriut

Bukayo Saka bëri paraqitje mbresëlënëse duke shënuar het-trik në fitoren e thellë, teksa kapiteni Harry Kane kontribuoi me dy të tjerë.

Kane hapi serinë e golave në minutën e 29-të, kur u asistua nga Luke Shaw për të shënuar nga afërsia për 1:0.

Saka shënoi në minutën e 38-të për 2:0, kësaj radhe asistues ishte Kyle Walker.

Për 3:0 shënoi ylli i Manchester United, Marcus Rashford në minutën e fundit të pjesës së parë, me të cilin rezultat skuadrat shkuan në pushimin mespjesëve.

Anglia nuk u ndal as në pjesën e dytë, ku vetëm dy minuta pasi filloi ndeshja ishte Saka që shënoi golin e dytë personal për rezultatin 4:0.

I njëjti futbollist shënoi për 5:0, duke shënuar het-trik në minutën e 51-të.

Në listën e golashënuesve hyri edhe Kalvin Philips, kur shënoi për 6:0 në minutën e 64-të.

Ndërsa për rezultatin përfundimtar u kujdes Harry Kane, që shënoi nga penalltia për golin e dytë personal dhe të rezultatit 7:0.

Anglia e vetme është në krye të tabelës me 12 pikë nga katër ndeshje, ndërsa ndjekësi më i afërt është Ukraina me gjashtë pikë.

Zvicra – Rumani

Zvicra nuk ka arritur ta mbajë rezultatin deri në fund, kështu duke humbur pikët e para në grupin I, pasi barazoi me Rumaninë 2:2.

Ishte një aksion i bukur në minutën e 28-të, ku Amdouni shënoi për 1:0, pas asistimit të Ruben Vargas.

Nuk kishte si të mungonte kontributi i Xherdan Shaqirit në këtë ndeshje, me gjilanasin që bëri një asistim të jashtëzakonshëm për Amdounin, ky i fundit realizoi golin e dytë personal, të rezultatit 2:0.

Dy gola në minutat e fundit të takimit nga Mihalia, bën që Rumania të barazonte rezultatin në 2:2.

Zvicra do ta mbajë sërish vendin e parë në grupin I, me 10 pikë në katër ndeshje, e ndjekur nga Rumania me tetë pikë e Izraeli me shtatë.

Francë – Greqi

Franca ka shënuar fitore minimale ndaj Greqisë 1:0, duke ia shkaktuar ballkanasve humbjen e parë në këtë cikël kualifikimesh.

Ishte Kylian Mbappe që shënoi nga penalltia në minutën e 55-të për golin e vetëm të takimit.

Mavropanos mori karton të kuq më pas, për të bërë më të pamundur që kombëtarja greke të kthehej në lojë dhe ndeshja u mbyll me rezultatin 1:0.

Franca ka 12 pikë nga katër ndeshje, Greqia gjashtë pikë në tri ndeshje, Irlanda e Holanda nga tre pikë, ndërsa Gjibraltar me zero.

Lajme të ngjashme