Ancelotti: Real Madrid nuk do të bëjë më transferime tjera
Trajneri i Real Madridit Carlo Ancelotti thotë se nuk do të ketë më prurje të reja në këtë afat kalimtar veror.
U raportua se “Los Blancos” do të bëjnë një ofertë zyrtare për Kylian Mbappen, mirëpo që tekniku italian e ka mohuar këtë gjë.
Në konferencë për shtyp para ndeshjes ndaj Celta Vigos, Ancelotti ka konfirmuar se skuadra është e kompletuar.
“Transferime? Jo, mund ta mohoj. 100 për qind jo. Ka mbaruar, nuk do të ketë transferime tjera, skuadra është kompletuar”.
“Largime? Mendoj se skuadra është kompletuar dhe të gjithë janë fokusuar në këtë sezon. Ndoshta mund të ndryshojnë mendje, por nuk jam i frikësuar”.
Ndërkohë, Ancelotti foli shkurtimisht edhe për përballjen ndaj Celtas duke bërë të ditur se Kepa Arrizabalaga do ta nis nga minuta e parë.
“Nesër Kepa do të jetë në portë”.
“Është ndeshje e veçantë dhe e rëndësishme. Shpresoj të vazhdojmë me këto rezultate pozitive. Skuadra është duke bërë mirë”.
“Modric? Luka tashmë ka vendosur se çfarë do të bëjë vitin tjetër. Është situatë e pazakonshme për të, nuk është i lumtur por po bën mirë. Ai do të kontribuoj”.
Ndeshja mes Celtas dhe Real Madridit zhvillohet të premten.