Ancelotti: Nuk dorëzohemi kurrë – ky është vetëm fillimi i ciklit - NACIONALE

Ancelotti: Nuk dorëzohemi kurrë – ky është vetëm fillimi i ciklit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Carlo Ancelotti nuk e pranon assesi kritikën se pas ndeshjes kundër Barcelonës mund të thuhet se skuadra ka arritur fundin e ciklit të vet. Trajneri italian është i mendimit se cikli i ri vetëm se ka filluar.

Në prag të ndeshjes të Kupës së Mbretit që Real Madridi do ta zhvillojë nesër në udhëtim kundër Villarrealit, trajneri Ancelotti ka folur në lidhje me dëshpërimin që kanë ndier tifozët e vet pas humbjes 3:1 kundër Barcelonës në finalen e Supërkupës së Spanjës.

Këtë humbje të rëndë, ku Real Madridi u mbizotërua në çdo aspekt të lojës nga rivalo i urryer Barcelona, Ancelotti u përpoq ta arsyetojë edhe me lëndimet e shumta me të cilat po ballafaqohen

“Nuk dua të flas për ndeshjen kundër Barcelonës. Bëhet fjalë për një kundërshtar të madh. Kemi pasur lëndime që na kanë dëmtuar më shumë dhe nuk ka qenë e parashikueshme. Të mos jesh në gjendje optimale është goxha normale. Duhet ta kalojmë disi këtë muaj”, tha ai.

Trajneri që u shpall më i miri i vitit 2022 beson fuqimisht se ekipi që udhëheq ai është tek në fillim të ciklit të vet dhe assesi nuk mund të konstatohet është në fund të tij.

“Kjo skuadër garon në të gjitha kompeticionet. Fundi i ciklit pas ndeshjes kundër Barcelonës? Besoj që ky është fillimi i ciklit. Është një skuadër e re, edhe pse të gjithë flasin për Modric, Kroos dhe Benzema, por ishin edhe disa të rinj dhe ka edhe disa të tjerë që do të vijnë këtë vit. Do të ketë lojtarë të rinj që do ta udhëheqin këtë skuadër. Do të ketë liderë të llojit të Kroos, Modric ose Benzema”, shtoi ai.

Përtej vështirësive që po kalon skuadra, ai ngurron ta quajë si të vdekur: “Besoj që nesër do të jetë një ndeshje e rëndësishme, edhe pse të gjithë e konsiderojnë Real Madridin si të vdekur. Duhet të jemi të qetë dhe me besim. Kjo është një periudhë e vështirë kundër kundërshtarëve që janë në gjendje të mirë. Nuk do të dorëzohemi kurrë dhe do të vazhdojmë tutje.”

Real Madridi është përballur me kritika të mëdha pas rezultateve jo fort të kënaqshme që ka korrur në këtë fillim të vitit 2023.

Lajme të ngjashme