Ancelotti: Goli i Mbappes ndaj Getafes është lehtësi e madhe për të gjithë ne
Trajneri Carlo Ancelotti u shpreh i kënaqur me paraqitjen e Kylian Mbappes gjatë fitores 2:0 ndaj Getafes të dielën.
Francezi realizoi golin e fitores duke shënuar nga distanca pas një asistimi mahnitës të Jude Bellinghamit.
Ancelotti pas ndeshjes deklaroi se është i lumtur me paraqitjen e Mbappes, e sidomos golin që ishte spektakular.
“Ai (Mbappe) ishte aktiv, i rrezikshëm dhe shënoi një gol të mirë, që ishte i rëndësishëm për të kontrolluar pjesën e mbetur të lojës. Ishte aktiv dhe ishte e tëra që donim nga ai”.
“Tifozët e kuptojnë më mirë se kushdo momentin e skuadrës dhe lojtarëve. Ata e mbështetën Mbappen pas Anfield sepse ishte gjëja e duhur për të bërë”.
“Po, një lehtësim për të gjithë, sepse ishte një gol spektakolar me ekzekutim fantastik”.
Ancelotti ndërkohë është i kënaqur me mënyrën si Reali po lufton pavarësisht mungesave, ngase siç dihet janë pa shërbimet e David Alaba, Eder Militao, Vinicius, Aurelien Tchouameni si dhe Edouardo Camavinga.
“Pavarësisht vështirësive, që janë shumë shkaku i lëndimeve, ne po luftojmë dhe vuajmë”.
“Jemi rikthyer të luajmë me koncentrim, prandaj kjo më jep siguri dhe besim. Pak nga pak do t’i zgjidhim problemet, por njëkohësisht po luftojmë”, nënvizoi ai.
Reali në përballjen e radhës do të përballet me skuadrën e renditur në pozitën e katërt në La Liga, Athletic Bilbaon.