Amorim: Manchester City favorit në derbi, pavarësisht formës
Ruben Amorim ka thënë se Manchester City është favorit në derbi ndaj Manchester Unitedit, pavarësisht se skuadra e Pep Guardiolës po vuan një formë të dobët me shtatë humbje në 10 ndeshjet e fundit.
Humbja e Cityt në Ligën e Kampionëve ndaj Juventusit të mërkurën do të thotë se kampionët e Premierligës kanë fituar vetëm një nga 10 ndeshjet e fundit.
Ndërkohë, United me vështirësi e mposhti Viktoria Plzen 2:1 në Ligë të Evropës të enjten.
Amorim po përgatitet për derbin e tij të parë në Mançester këtë fundjavë dhe këmbënguli se City ka ende më shumë gjasa të fitojë në Etihad Stadium, pavarësisht nga vështirësitë e tyre të fundit.
“Ekipet e mëdha mund të përgjigjen në çdo moment dhe unë mendoj se ata janë në një vend më të mirë se ne në kuptimin e lojës, mënyrën se si luajnë, besimin që kanë”, tha Amorim, skuadra e të cilit Sporting CP mposhti Cityn 4:1 në Ligë të Kampionëve para se të kalonte në Old Trafford.
"Edhe në këto momente, ne kemi shumë për t'u fokusuar në ekipin tonë. Ne do të përballemi me një kundërshtar të madh dhe unë jam më i fokusuar në problemet tona. Kemi shumë çështje këtu."
United shkon në lojë në Etihad në vendin e 13-të në tabelë, ndërsa City ka rrëshqitur pas Liverpoolit, Arsenalit dhe Chelseat në garën për titull.
“Nuk mund ta trajtoj atë si një derbi normal. Duhet të jetë si dy skuadra të mëdha që luftojnë për titullin, dhe nuk është kështu në këtë moment. Pra, është vetëm një lojë më shumë me një kundërshtar shumë të mirë. Të dyja skuadrat janë duke u përballur me probleme në këtë moment, kështu që shpresoj në të ardhmen të mund të ndihet ajo ndjenjë e vërtetë e një derbi që ka implikime titulli”.
Para se të pranonte të bëhej trajner i United, Amorim ishte i lidhur me punën e Cityt përpara se Guardiola të nënshkruante një kontratë të re.
Miku i ngushtë Hugo Viana do të kalojë nga Sporting CP në City për të marrë postin e drejtorit të futbollit nga Txiki Begiristain, i cili do të largohet nga klubi në fund të sezonit.
Amorim, megjithatë, këmbëngul se nuk ishte kurrë një opsion për të ndjekur Vianën në Etihad.
"Kurrë," tha ai. “Nuk kam dëgjuar kurrë për ta dhe kjo ishte alternativa ime e vetme. Kur Manchester United foli me mua, nuk kisha asnjë dyshim. Kisha diçka në mendjen time që [puna e United] mund të ishte një mundësi. Me Manchester Cityn apo Vianën? Asgjë për këtë."