Amorim: Jam gati për sfidën te Man Unitedi
Trajneri Ruben Amorim thotë se nuk ka iluzione për vështirësinë e detyrës me të cilën përballet kur ta marrë drejtimin e Manchester Unitedit, mirëpo mezi po e pret sfidën.
Skuadra angleze njoftoi punësimin e Amorim më herët këtë muaj, ndërsa ka nënshkruar kontratë deri në qershorin e vitit 2027.
Amorim ndërkohë është gati për këtë aventurë të re dhe është plotësisht i fokusuar.
“Ndihem gati për sfidën e re”.
“Nuk jam naiv, e di se do të jetë shumë vështirë dhe ndryshe. Jam në paqe tani, mund të fokusohem në punën e re dhe mezi po pres ta nisi nesër”.
“E di që do të jetë vështirë për të riprodhuar diçka që kam këtu, diku tjetër, por ka vende tjera me presion ndryshe prandaj aventura këtu (te Sporting) ka qenë fantastike”.
“Kërkoj falje për vendimin që mora në mesin e sezonit, por u ndjeva se ishte koha e duhur”, nënvizoi ai.
Amorim do t’ia bëjë sefte në Premierligë më 24 nëntor në përballjen ndaj Ipswich Town.
Unitedi aktualisht zë pozitën e 13-të me 15 pikë nga 11 ndeshje, katër më pak se Chelsea që renditet në pozitën e tretë në tabelë. Trajneri i përkohshëm Ruud van Nistelrooy ishte në krye në katër ndeshjet e fundit, ku regjistroi tre fitore dhe një barazim.