Amir Rrahmani në bankë rezervë, Napoli barazon me Veronën
Verona ka arritur ta ndalë liderin e Serie A-së, Napolin në Diego Armando Maradona me barazim pa gola, në ndeshjen ku futbollisti nga Kosova, Amir Rrahmani u pushua për t’u mos inkuadruar fare.
Duke parë se titulli kampion tashmë është në dorën e tyre, Luciano Spalletti sigurisht se do të bëjë taktizime për garën tjetër, atë të Ligës së Kampionëve, aty ku do të përballet me Milanin në ndeshjen kthyese të martën dhe ka detyrë për ta përmbysur rezultatin nga ndeshja e parë, ku kuqezinjtë fituan 1:0 me golin e shënuar nga Ismael Bennacer në pjesën e parë.
Në këtë ndeshje, përveç Rrahmanit u pushuan shumica e lojtarëve që bartin barrën kryesore dhe lajmi i mirë ishte se Victor Osimhen u kthye nga lëndimi, për t’u paraqitur për mbi 15 minuta.
Edhe pse napolitanët dominuan takimin me posedim të topit, që në fund ishte 80% në anën e tyre, dështuan të krijonin raste të mira shënimi, duke realizuar vetëm një goditje në drejtim të portës, ku portieri mysafir nuk e pati problem.
Ky barazim pa gola nuk ndikon asgjë në tabelën e Serie A-së, pasi që Napoli është 14 pikë para përcjellësit më të afërt, Lazios, kur kanë mbetur edhe tetë ndeshje për t’u zhvilluar.
Ndeshja e radhës për Napolin është këtë të martë, pra më 18 prill, kundër Milanit në ndeshjen vendimtare, ku vendoset se cila skuadër shkon në mesin e katër më të mirave.
