Amir Rrahmani kërkon falje për paraqitjen e Kosovës sot, e merr përgjegjësinë mbi vete
Kombëtarja e Kosovës pësoi humbje 3:0 nga Rumania në ndeshjen e parë të edicionit të ri të Ligës së Kombeve, me një paraqitje zhgënjyese në Fadil Vokrri.
Amir Rrahmani ishte i vetmi që foli pas ndeshjes, ku mori përgjegjësinë për humbjen.
"Realisht spo mundemi asnjë me kuptu. Une e marrë përgjegjësinë totale për humbjen. Me deshirën e me mundësinë që në të ardhmen m'u përmirësu, është e pashpjegueshme me zhvillo aso loje në pjesën e parë ashtu edhe me pësu. Nuk e di. Ka shume ndeshje tjera që kemi lujt mirë, por që kemi pësu keshtu njëjtë gola. Prapë po them unë e marrë pergjegjësinë sidomos për këtë ndeshje. Kemi me provu deri në fund që me ec përpara me ekipin. Jam pa fjalë. Nuk kemi çka flasim, çka të folim është e tepërt. Kandidati kryesor me fitu grupin, me humb 3:0 në shtëpi. Duhet ta marrim situatën në dorë secili, nuk mundemi me shku përpara kështu. Nuk janë krejt lojtarët me kualitet të lartë. Kemi lojtar të mirë, por nuk e di, ka shume ndeshje qe nuk kemi arritur të shënojmë, po na mungon konkretizimi."
Ashtu si trajneri, edhe Rrahmani ishte ai që tha se fusha nuk është ende në nivelin e duhur.
"Fusha nuk është ende mirë, është pak e fortë, por shpresojmë që kur del bari natyral të bëhet mirë."
Sipas yllit të Napolit, futbollistët duhet të marrin përgjegjësi, sepse kjo nuk tolerohet më.
"Me ul kokën, të marrim përgjegjësi më shumë, ta dëgjojmë trajnerin, të luajmë më thjeshtë. Difernecën në ndeshje të mëdha e bëjnë pasimet e shpeshta, duhet të punojmë."
Për fund, kapiteni foli për formacionin e Franco Fodës, duke thënë se vendimet e tij duhet të respektuar.
"Trajneri e pa të arsyeshme me lujt me dy sulmues, e ka besu që me pasime vertikale do të jetë më mirë. Këto janë vendime të trajnerit, duhet të respektuar, ne vetëm duhet ecur përpara."