Alcaraz e fiton Indian Wellsin dhe e rrëzon Djokoviqin nga froni - NACIONALE

Alcaraz e fiton Indian Wellsin dhe e rrëzon Djokoviqin nga froni

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Carlos Alcaraz e ka mposhtur Daniil Medvedevin për të fituar titullin në Indian Wells, si dhe është rikthyer në vendin e parë në renditjen botërore të tenistëve.

Spanjollit Alcaraz, 19 vjeç, iu deshën vetëm një orë e 11 minuta për ta vulosur një fitore prej 6-3, 6-2, që e vendosi atë mbi serbin Djokoviq në krye të renditjes së ATP-së.

Për kampionin e US Open Alcaraz ky është titulli i tretë Masters 1.000 në karrierë.

Është e mahnitshme të ngresh trofeun këtu, dhe të jesh sërish numër një në botë. Do të thosha ky ka qenë turneu më i mirë”, tha Alcaraz.

Djokoviqi u detyrua të tërhiqet nga turneu në Kaliforni sepse nuk i është lejuar të hyjë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për arsye të mosvaksinimit ndaj Covid-19.

Ai gjithashtu do të mungojë këtë javë në Miami Open, ku Alcaraz është kampion në fuqi.

Alcaraz hapi ndeshjen kundër Medvedev shumë mirë duke kaluar në epërsi 3-0, dhe gjatë gjithë kohës kishte kontroll mbi lojën. Në setin e dytë ai fitoi 10 pikët e para për të kaluar në epërsi 4-0 dhe të përmbyllte fitoren e tij ka iu rrezikuar shërbimi asnjëherë.

Daniil nuk luajti në formën e tij më të mirë, por jam shumë i lumtur për performancen time dhe lojën që kam bërë në këtë turne. Prita një ndeshje më të fortë. Të luash kundër tij është gjithmonë një lojë taktike, dhe isha perfekt sot. Për atë arsye u duk e lehtë por nuk ishte”, shtoi Alcaraz.

Carlos Alcaraz është vetëm lojtari i dytë pas Rafael Nadal që i fiton tre tituj Mastres 1.000 në adoleshencë.

Ai humbi vendin e parë në botë për shkak të një lëndimi në janar pas triumfit të Djokoviqit në Australian Open. Por ai u kthye në aksion në shkurt, duke fituar Argentina Open dhe arriti deri në finale të Rio Open.

Alcaraz duhet të mbrojë me sukses titullin në Miami Open në mënyrë që të qëndrojë në krye të renditjes botërore të tenistëve./Orselina Lazraj/

Lajme të ngjashme