Albion Rrahmani fantastik, katër gola në dy ndeshje për Rapidin e Bukureshtit (VIDEO)
Sulmuesi kosovar, Albion Rrahmani, e ka nisur në mënyrë fantastike rrugëtimin e tij të ri te skuadra e Rapid Bukureshtit, ku në dy ndeshjet e para ka shënuar katër gola deri më tani, me dy të fundit që erdhën dje në derbin ndaj Dinamos së Bukureshtit.
Rrahmani kompletoi transferimin e tij javë më parë nga kampioni i Kosovës, Ballkani, për te skuadra rumune për një shifër rekorde për një lojtar nga Kosova, rreth 600 mijë euro.
Ndikimi i tij ka qenë i menjëhershëm. Pas dy golave të bukur që shënoi në ndeshjen e parë, ai dje ishte një nga më të dalluarit, duke ndihmuar skuadrën e tij të fitonte bindshëm 4:0.
Zhvillohej minuta e 35-të, kur një penallti e akorduar në të mirë të Rapidit, në gol me gjakftohtësi e konvertoi 23-vjeçari, për ta çuar skuadrën në epërsi 1:0, që ishte rezultati i pjesës së parë.
Goal! | Albion Rrahmani | Rapid București 1-0 FC Dinamo Bucureștipic.twitter.com/sMWq3hhMmk
— FootColic ⚽️ (@FootColic) September 1, 2023
Rapidi i Bukureshtit shënoi edhe tre gola të tjerë në pjesën e dytë. Razvan Oaida dhe Claudiu Petrila shënuan respektivisht në minutën 56 dhe 61, për ta çuar rezultatin në 3:0.
Ndërsa për rezultatin përfundimtar u përkujdes Albion Rrahmani, që pranoi shumë bukur një top nga Bamgboye, ku doli përballë me portierin për ta mposhtur lehtësisht për 4:0.
Goal! | Albion Rrahmani gets his double!
— FootColic ⚽️ (@FootColic) September 1, 2023
Rapid București 4-0 FC Dinamo Bucureștipic.twitter.com/rlA1NBvf7L
Skuadra e Rrahmanit tani pas tetë ndeshjeve të zhvilluara është në pozitën e dytë, me katër fitore, dy barazime e dy humbje, pra deri në ardhjen e sulmuesit kosovar rekordi ishte i njëjtë si në fitore, humbje apo barazime dhe këtu mund të shihet ndikimi i kosovarit.
Kujtojmë se Albion Rrahmani ka marrë ftesën nga Kombëtarja e Kosovës për ndeshjet e shtatorit, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2024.

