Albin Krasniqi bën dallimin, Prishtina me super rikthim e çon ndeshjen në vazhdime - NACIONALE

Albin Krasniqi bën dallimin, Prishtina me super rikthim e çon ndeshjen në vazhdime

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Prishtina ka bërë një rikthim fantastik nga 2:0 në 2:2 për ta dërguar finalen e Kupës së Kosovës në vazhdime ndaj Ballkanit.

Kampioni i Kosovës e nisi shumë më mirë, duke dominuar nga fillimi dhe krijuar disa raste fantastike.

Ishte Walid Hamidi që i dha epërsinë Ballkanit duke dribluar portierin pas një asistimi fantastik të Almir Kryeziut (21’).

Ballkani vazhdoi të sulmonte e ndërtonte disa aksione por që s’arriti ta finalizonte në këtë pjesë.

Skuadra suharekase ishte prapë më e mirë në pjesën e dytë, ku Armend Thaqi dhuroi një harkim të mrekullueshëm për Meriton Korenicën që e dyfishoi epërsinë (52’).

Pas kësaj, trajneri Emmanuel Egbo bëri zëvendësimet duke futur edhe Albin Krasniqin, i cili në këtë rast e bëri dallimin.

Fillimisht, Krasniqi realizoi nga pika e bardhë pasi VAR-i ndali një penallti shkaku i prekjes së topit me dorë (77’).

Kurse, pesë minuta më vonë Krasniqi e barazoi rezultatin me një supergol që e la Koliçin të shtangur (82’).

Prishtina kishte edhe një rast fantastik për ta bërë rikthimin mahniëts megjithatë dështoi ta finalizonte.

Kësisoj, ndeshja shkon në vazhdime dhe mbetet të shihet nëse do të ketë fitues, apo ka nevojë që fituesin ta përcaktojnë penalltitë.

Lajme të ngjashme