Alban Veseli: Huliganizëm e poshtërim si në Mitrovicë s’kam përjetuar as në 20 vite karrierë
Alban Veseli, basketbollisti i Pejës, e ka goditur Trepçën për mënyrën sesi e organizoi ndeshjen e parë finale të play-offit në Mitrovicë, duke i akuzuar për huliganizëm dhe fyerje të papara në 20 vitet e tij karrierë në basketbollin kosovar.
Trepça e mundi Pejën 94:86 në ndeshjen e parë të serisë së finaleve të mërkurën mbrëma në palestrën e stërmbushur Minatori.
Në një reagim në rrjetin social Facebook një ditë pas ndeshjes, Veseli u ankua për mungesën e kushteve të sigurisë për lojë.
“Zero kushte për lojë, zero siguri!” shkroi Veseli në llogarinë e vet në Facebook.
Ai shtoi: “20 vite karrierë në basketboll kam kaluar çdo lloj sfide mirëpo kurrë s’jam ndier më i fyer dhe i poshtëruar se mbrëmë”.

Nuk është shënuar ndonjë incident gjatë ndeshjes të mërkurën në Mitrovicë, megjithatë.
Veseli, 33 vjeç, e akuzoi edhe policinë për sulm.
“Banka rezervë e sulmuar gjatë gjithë ndeshjes nga huligane në afërsi 1 metër dhe të gjithë ishim të prekur nga pështymat, sharjet, fyerjet e pandalshme, kjo nuk mjaftoi për sigurimin e ndeshjes dhe policinë që në vend se t’i krijonin kushtet për lojë edhe ata na sulmuan”, pretendoi ai.
Trepça e fitoi të drejtën për ta pasur përparësinë e terrenit vendas, pas një ankese kur Pejës iu dha e drejta fillimisht për të qenë vendas në ndeshjen e parë.
Komisioni Arbitrar tha se Trepça ka të drejtë të luajë vendase në ndeshjen e parë dhe tretë, si dhe në të pestën nëse fituesi nuk përcaktohet në tri ndeshjet e para.
Veseli pati ankesa edhe për gjyqtarët, duke pretenduar: “Për referim nuk jam kompetent të flas mirëpo një lojë aq agresive nga Trepça me 1 faull për 9 minuta lojë në çerekun e fundit lë shumë për të dëshiruar!”
