Alban Shillova e bën heroin, Feronikeli '74 mbetet në Superligë, Prishtina e Re në Ligën e Parë
Feronikeli '74 ka arritur të shënojë fitore në frymën e fundit të takimit, duke mposhtur Prishtinën e Re në ndeshjen vendimtare se cila skuadër do të garojë në Superligë në sezonin e ardhshëm.
Heroi i skuadrës nga Drenasi ishte Alban Shillova, që shënoi gol në minutat shtesë.
Ndeshja e play-offit u zhvillua në Klinë, në stadiumin 18 qershori, me të dy skuadrat që treguan lojë shumë aktive, me disa raste të mira gjatë 90 minutave të zhvilluara.
Ndeshja u karakterizua me disa gola të shënuar, që më pas u anuluan, teksa të dy portierët, si Amrush Bujupi, ashtu edhe Egzon Bislimi patën paraqitje shumë të mirë.
Prishtina e Re shënoi një gol fillimisht me Jetullahin në minutën e 67-të, por që ai gol u anulua për pozitë jashtë loje.
Një vendim shumë i dyfishmt nga VAR erdhi në minutën e 79-të, kur Alban Shillova shënoi për Feronikelin.
Pas rishikimit të aksionit për më shumë se tetë minuta, nga VAR me një pamje aspak të mirë vendosën për pozitë jashtë loje, ani pse shumë pamje tregojnë të kundërtën.
Feronikeli '74 nuk u dorëzua pas këtij vendimi dhe arritën të shënonin në minutat shtesë, me Shillovën që ishte aty sërish për ta çuar topin në rrjetë.
Kësaj radhe goli në minutën e shtatë të shtesës ishte i rregullt dhe Feronikeli e fitoi ndeshjen jetike ndaj Prishtinës së Re.
Kësisoj, Feronikeli '74 do të vazhdojë në Superligë sezonin e ardhshëm, ndërsa Prishtina e Re do ta kërkojë rastin tjetër për promovim nga Liga e Parë.