Akil Gjakova një fitore larg të bronztës, Dardan Cena eliminohet nga Paris Grand Slam
Akil Gjakova ka vazhduar me paraqitje fantastike dhe tani është vetëm një fitore larg medaljes së bronztë. Në anën tjetër, në kategorinë e njëjtë deri në 73 kilogram, Dardan Cena është eliminuar nga repesazhi, duke mbyllur rrugëtimin e tij pa medalje në Paris Grand Slam 2024.
Akili i fitoi tre përballjet e para me lehtësi, duke arritur Ippon ndaj të gjithë kundërshtarëve deri në atë fazë, por u mposht në çerekfinale nga Shakhram Akhadov, vetëm për shkak të shidove.
Lufta për medalje për Gjakovën po vazhdon në repesazh, aty ku ka fituar betejën e parë ndaj Adil Osmanov nga Moldiva, me një lëvizje fantastike në Golden Score.
Garuesi kosovar gjendet vetëm një fitore larg nga medalja e bronztë, pasi në finale të repesazhit do të takohet me Behrusi Khojazoda në bllokun final.
Në anën tjetër rrugëtim gati të njëjtë pati edhe Dardan Cena. Ai gjithashtu fitoi tre luftat e para, për të humbur në çerekfinale për shkak të shidove.
Cena ishte i pafat në repesazh pastaj në ndjekje të medaljes së bronztë, pasi u mposht nga një gabim i vogël, me kundërshtarin e tij Daniyar Shamshayev që fitoi me Waza-ari, me kosovarin që pas medaljes në Evropianin e Hapur, në Paris Grand Slam e mbyll rrugëtimin pa medalje, i rënditur në vendin e shtatë.

Blloku final fillon në 17:00 dhe përballja e Akil Gjakovës për medalje është e treta me rend.
Kujtojmë se ditën e sotme luftoi edhe Laura Fazliu, por u eliminua shumë herët.