“Ai është si zot” – pse lojtarët e Atleticos e dashurojnë Simeonen
Atletico Madridi është klub që e paraqet veten si autsajder. Kështu i pëlqen, megjithëse është kampion në fuqi i La Ligës. Gjërat i bën në mënyrën e vet dhe, siç u bë e qartë javën e kaluar në stadiumin Etihad, Atletico s’e ka telash të kthehet krejtësisht mbrapa dhe të mbrohet deri në vdekje.
Diego Simeone, trajneri dhe lideri spiritual i tij, e ndërroi sistemin e vet tejet kontrovers të lojës 4-5-1 në një sistem të paparë më herët, 5-5-0 dhe e mbajti larg portës së Jan Oblakut njërin prej ekipeve më sulmuesve në planet shumicën e kohës, deri në çastin kur Kevin De Bruyne e theu akullin dhe ia siguroi Manchester Cityt një fitore 1:0.
Taktikat negative të Simeones dhe sjelljet e lojtarëve të Atletico Madridit në fushë janë kritikuar shumë nga disa ekspertë futbolli, përfshirë ish-mbrojtësin e Manchester Unitedit, Rio Ferdinand, i cili tha se lojtarët, përfshirë blerje e bujshme 126 milionë eurosh Joao Felix, nuk po e shijojnë futbollin në fanellën e Atleticos.
“Nuk mund ta paramendoj se ai po e shijon lojën të cilën i është kërkuar ta bëjë. Për një lojtar si Joao Felix, ai nuk mund të ulet në aeroplan rrugës për në shtëpi dhe të thotë me vete: ‘Ata po e nxjerrin më të mirë nga unë, ata vazhdimisht e nxjerrin më të mirën nga unë si lojtar’. Ai nuk mund ta thotë këtë”, tha Ferdinand.

Ekziston një ekzagjerim në këtë narrativë këtë sezon në veçanti, sepse Atletico i ka shënuar 57 gola në La Liga këtë sezon, vetëm gjashtë më pak se lideri Real Madrid.
Megjithatë, është e vërtetë se në ndeshje të mëdha, Simeone i kërkon skuadrës të luajë me kujdes dhe guxim.
Simeone është trajner frymëzues, i cili gjatë dekadës së fundit në krye të Atleticos i ka ndihmuar klubin ta arrijë përudhen më të suksesshme dhe iu ka ndihmuar disa lojtarëve më pak cilësorë të arrijnë më shumë seç pritej, duke garuar kundër lojtarëve më të mirë në botë në Barcelonë dhe Real Madrid.
Atletico e ka arritur finalen e Ligës së Kampionëve dy herë dhe e ka fituar La Ligën dy herë dhe shumë lojtarë që të cilët largohen, më vonë vendosin të kthehen, duke e kuptuar se kurrë nuk do ta kenë më mirë diku tjetër, edhe nëse iu duhet të vrapojnë derisa sa ta kenë shterur çdo pikë uji në trupin e tyre, apo edhe nëse iu duhet ta flijojnë lavdinë individuale për përfitim kolektiv.
Antoine Griezmann është shembulli më i freskët, pasi i ishte bashkuar Barcelonës por u kthye sa më shpejt, derisa të njëjtën gjë e kishin bërë edhe Diego Costa, Fernando Torres, Yannick Carrasco dhe Filipe Luis.
“Është çmendur të dyshosh në Cholo Simeonen. Ai është njëri prej trajnerëve më të mirë në botë dhe e di saktësisht se çfarë dëshiron”, tha për Goal Rodrigo de Paul.

“Dhe kur gjërat nuk shkojnë mirë, faji është i të gjithë dhe kur ato shkojnë mirë, është për shkak të gjithë. Ky është klub, ekip. Në kohë të mirë dhe të këqija, të gjithë ne e dimë se i kemi përgjegjësitë tona”, shtoi ai.
Ish-mesfushori i Atleticos, Tiago Mendes, e përshkroi Simeonen si zot.
Tiago, i cili ishte blerë më 2010 nga trajneri i atëhershëm Gregorio Manzano, vërejti dallimet e shumta pasi Simeone e mori përsipër skuadrën, duke e udhëhequr drejt lavdisë në La Liga më 2014.
“Mendoj se për ne, për klubin, ai është si zot”, shpjegoi Mendes.
“Ai erdhi në klub dhe ndryshoi gjithçka. Çfarë thotë ai bëhet realitet. Ai na thotë të kërcejmë nga një urë, ne kërcejmë. Mendoj se ai di shumë për futbollin.”
Griezmanni është shembull i mirë, pasi arriti si një anësor sulmues i talentuar nga Real Sociedadi për t’u shndërruar në një qendërsulmues të zellshëm. Vrastar në sulm dhe i palodhshëm në mbrojtje.
“Simeone më ka ndihmuar të bëhem çfarë kam ëndërruar të bëhem”, e ka pranuar Girezmann.
“Desha të kthehem në Atletico. Duhej të ndodhte. Jam shumë i lumtur, shumë i kënaqur. Simeone më ka ndihmuar ta arrij nivelin më të mirë dhe për këtë arsyeje desha të kthehem”.
