“Ai është antitezë e vlerave tona, s’e duam” – Vazhdojmë kundërshtimet për kalimin e Ronaldos në Atletico - NACIONALE

“Ai është antitezë e vlerave tona, s’e duam” – Vazhdojmë kundërshtimet për kalimin e Ronaldos në Atletico

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Mundësia që Cristiano Ronaldo t’i bashkohet Atletico Madridit po vijon të shkaktojë shumë zhurmë dhe kundërshtime.

Megjithëse presidenti i Atleticos, Endrique Cerezo, këmbënguli së fundmi se është pothuajse e pamundur që sulmuesi portugez i Manchester Unitedit të përfundonte në Atletico, e vërteta është se ka shumë lëvizje mbrapa skenës, sipas mediave spanjolle, dhe gjithçka mund të ndodhë.

Ditë më parë tifozët e gjigantit spanjoll nisën një peticion në rrjetin social Twitter për ta kundërshtar kalimin e Ronaldos në Wanda Metropolitano, por tani, Unioni Ndërkombëtar i Grupeve Përkrahëse të Atleticos, i cili mbledh qindra grupe tifozësh të Atleticos, ka dalë me qëndrim kundër Ronaldos.

“Duke e parë mundësinë se nënshkrimi i marrëveshjes me Cristiano Ronaldon është më shumë e thjesht një thashethem, ne e shprehim kundërshtimin tonë të plotë të kalimit të tij të mundshëm në klubin tonë”, thuhet në njoftimin e Union of Penas.

“Për përkrahësit e klubit lojtari i lartpërmendur përfaqëson antitezën e vlerave që përbëjnë shtyllat kryesore të Atleticos sonë, siç janë përpjekja, zemërgjerësia, thjeshtësia dhe përulësia e atyre që duan t’i mbrojnë vlerat tona”.

“Edhe në qoftë se do të ndodhte e pamundura që një lojtar në rënie e sipër si Cristiano Ronaldo do të na e siguronte titullin, ne nuk do ta pranonim ardhjen e tij në klub prapëseprapë. Prandaj, ne i kërkojmë klubit ta hedhë poshtë mundësinë e nënshkrimit me të, nëse është konsideruar ndonjëherë”, përfundon deklarata e tyre.

A do të largohet Ronaldo nga Man United?

E ardhmja e Ronaldos ka qenë në dyshim që prej se ai e shprehu dëshirën për t’u larguar nga Unitedi para fillimit të sezonit 2022/23, sepse dëshiron të luajë futboll në Ligën e Kampionëve.

Është përfolur se Ronaldo i është vetëofruar klubeve si Chelsea, Atletico Madrid, Paris Saint-Germain, Bayern Munich, Real Madrid dhe Inter, në përpjekje për ta gjetur një klub që luan në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Por asnjëri prej klubeve të lartpërmendura nuk ka shprehur gatishmëri për ta afruar pesë herë fituesin e Topit të Artë.

Në ndërkohë, trajneri i Unitedit Erik ten Hag ka këmbëngulur se Ronaldo nuk është në shitje, madje duke lënë të kuptohet se ai mund të luajë në United edhe pas sezonit të ri.

“Po, ai mund të luajë edhe pas këtij sezoni, por, të jemi të sinqertë, unë kam nënshkruar marrëveshje trivjeçare, por në futboll kjo është afatshkurtër”, tha trajneri holandez.

Lajme të ngjashme