Agjenti e ofron Jose Mourinhon te Napoli
Agjenti Jorge Mendes e ka ofruar trajnerin Jose Mourinho te presidenti i Napolit Aurelio de Laurentiis.
“Sportmediaset” raporton se vetëm disa orë pas shkarkimit të “Special One”, agjenti i tij ka diskutuar menjëherë në telefon me De Laurentiis, duke biseduar për kalimin e mundshëm të “Special One” në “Stadio Maradona”.
De Laurentiis nuk e hodhi poshtë këtë mundësi, mirëpo i shpjegoi se janë totalisht të fokusuar në afatin kalimtar të janarit dhe nuk do ta konsiderojnë ndryshimin e trajnerit së paku deri në fundin e sezonit.
Walter Mazzari është i lidhur me Napolin deri në qershor dhe De Laurentiis dëshiron t’i qëndrojë besnik kësaj marrëveshje, pavarësisht rezultateve.
Ndërkohë, problemi kryesor për kalimin e Mourinhos te Napoli mund të mbetet padyshim paga, meqenëse paguhet rreth 7 milionë euro për vit, vlerë të cilën ndoshta “Napolitanët” s’mund ta paguajnë.
Mourinho kërkohet me ngulm edhe në Arabinë Saudite, ku në verë refuzoi ofertën e Al Hilalit që do ta bënte trajnerin më të paguar në histori të futbollit.
Pas shkarkimit nga Roma, “Special One” pritet të pushojë deri në fundin e sezonit dhe pastaj të konsiderojë opsionet.
Ai te Roma për dy vite, arriti ta fitojë Ligën e Konferencës, si dhe arriti deri në finalen e Ligës së Evropës, ku u mposht nga Sevilla.