Agim Ademi i ‘hakmerret’ Eroll Salihut, ia ndërpret kontratën
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) i ka ndërprerë kontratën këshilltarit të lartë ligjor, Eroll Salihut, ditën e enjte.
Salihu kishte folur kundër kryetarit Agim Ademi disa herë nëpër media, ku si pasojë fillimisht u suspendua për gjashtë muaj, derisa sot, Komiteti Ekzekutiv vendosi t’ia ndërpres kontratën.
Në komunikatën e fundit të Komunitetit Ekzekutiv thuhet se "pas shqyrtimit të shkeljeve disiplinor nga ana e Eroll Salihut, u vendos që t’i ndërpritet marrëdhënia e punës”.
“KE pas shqyrtimit të shkeljeve disiplinore nga ana e Eroll Salihut, drejtor sportiv dhe Këshilltar i lartë ligjor mori vendim që t’i ndërpritet marrëdhënia e punës dhe i njëjti do të njoftohet në formë të shkuar”, shkruhet në komunikatë.
Problemet mes Ademit dhe Salihut kishin nisur vitin e kaluar, me këtë të fundit që ishte ‘viktimë’ e sulmeve fizike të Ademit, edhe pse këto raportime u mohuan nga të dytë atë kohë.
Shkaku i problemeve të njëpasnjëshme, Salihu vendosi të largohet nga pozita e sekretarit gjeneral që të bëhet ‘këshilltar i lartë në FFK’.
Sidoqoftë, vetëm disa muaj më vonë, kryetari Agim Ademi shpalli zgjedhjet në FFK (ku muajin e kaluar fitoi mandatin e dytë), e Salihu reagoi disa herë duke thënë se janë zgjedhje të jashtëligjshme.
Salihu doli nëpër media duke folur për shumë situata, siç ishte suspendimi që kishte bërë UEFA në drejtim të Ademit, që gjithmonë u mohua nga ky i fundit, pavarësisht se u publikua edhe letra zyrtare.
Ndërkohë, Gazeta Nacionale ka kontaktuar edhe Salihun pas këtij shkarkimi, i cili tha se nuk ka qenë në dijeni për shkarkimin.