Ademi që po hetohet për korrupsion në FFK, thotë se babai i Xhakës e përgëzoi për punën e deritanishme - NACIONALE

Ademi që po hetohet për korrupsion në FFK, thotë se babai i Xhakës e përgëzoi për punën e deritanishme

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ragip Xhaka, babai i yllit të Arsenalit dhe Zvicrës, e vizitoi të hënën presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, të cilit ia dhuroi një fanellë me firmën e të birit.

Ademi, i cili u rikthye në zyre javën e kaluar pas gati një muaji të kaluar në arrest shtëpiak, njoftoi për vizitën e Xhakës në selinë e FFK-së përmes një postimi në Facebook.

Sot në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës prita një mysafir të veçantë - Ragip Xhakën, babanë e një prej futbollistëve më të shquar të Arsenalit dhe të Kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka. Me kënaqësi të madhe e pranova fanellën e Granitit me nënshkrimin e tij, të cilën do ta ruaj si një dhuratë të çmuar në koleksionin tim të futbollit”, shkroi Ademi.

Policia për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në bashkëpunim me Prokurorinë e Prishtinës janë duke i hetuar Ademin bashkë me disa zyrtarë të tjerë për korrupsion në shtëpinë e futbollit.

Ademi – i cili ka gati një vit që po dështon ta licencojë FFK-në në Ministrinë e Sportit – dyshohet për veprat penale “keqpërdorim të besimit” dhe “shmangie nga tatimi”.

“Ragipi më përgëzoi për punën e deritanishme në krye të FFK-së dhe shprehu shpresën që Kosova do të arrijë kualifikimin në Kampionatin Evropian së bashku me Zvicrën”, shtoi ai.

Një ditë më herët, Xhaka e vizitoi edhe babanë e ish-presidentit Hashim Thaçi në Burojë.

Një muaj më parë, Xhaka kishte protestuar kundër gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke e cilësuar gjykimin e tyre si tentim për ta njollosur historinë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare për lirinë e Kosovës më 1998-99.

“Familja Xhaka ka qenë dhe mbetet simbol i vlerave dhe atdhedashurisë, teksa Graniti është promovues i jashtëzakonshëm i vlerave të Kosovës dhe frymëzues për të rinjtë në mbarë botën për të ndjekur ëndrrat e tyre në futboll”, nënvizoi ai.

Lajme të ngjashme