A do t’i shpaguhen Barcelonës shpenzimet e rrezikshme të kësaj vere?
Muajin e kaluar, zëvendëspresidenti ekonomik i Barcelonës, Eduard Romeu, tregoi se kishte nevojë për 500 milionë euro për ta shpëtuar klubin nga falimentimi.
Tani, gjashtë javë më vonë, gjiganti i rënë spanjoll është duke derdhur para të majme në tregun e lojtarëve. Goxha shumë.
Rreth 100 milionë euro janë shpenzuar për t’i blerë Robert Lewandowskin nga Bayern Munich dhe Raphinhan nga Leeds United. Ngjashëm po kërkon t’i harxhojë edhe për Jules Kounden e Sevillës dhe Bernardo Silvën e Manchester Cityt.
I nevrikosur, trajneri i Bayernit Julian Nagelsmann u ankua se “Barça është klubi i vetëm në botë që nuk ka para por mund ta blejë cilindo lojtar”. Zemërimi i tij përkufizoi më së miri mendimin e shumë personave të cilët nuk mund ta kuptojnë se si një klub me një borxh prej rreth 1 miliard euro mund të shpenzojë kaq shumë.
Por ky perceptim është disi i gabuar dhe përgjigja është e thjeshtë. Më poshtë mund ta kuptoni verën e jashtëzakonshme financiare të Barcelonës dhe arsyen pse drejtuesit e klubit po rrezikojnë o gjithçka, o asgjë.
Joan Laporta nismëtar i levave ekonomike
Më 16 korrik, anëtarët e Barçës – të cilët janë pronarë të klubit – votuan për ta lejuar presidentin Laporta t’i ekzekutojë disa masa të jashtëzakonshme, të cilat tani njihen si leva ekonomike, në mënyrë që ta sigurojë një infuzion të madh kesh.
Leva e parë ishte shitja e 10% të të drejtave televizive për ndeshjet e klubit në La Liga për 25 vitet e ardhshme te një fond investimesh në SHBA, Sixth Street, në shkëmbim të një pagese të menjëhershme prej mbi 200 milionë eurove – e mjaftueshme, me fjalë të tjera, për t’i mbuluar shpenzimet e blerjes së lojtarëve deri tani këtë verë.
Dhe këtë të premte, klubi njoftoi se ia ka shitur edhe 15% të tjera të drejta televizive fondit amerikan Sixth Street, duke ia sjellë klubit edhe mbi 300 milionë euro tjera shtesë.
Barça e ka në plan t’i shesë 49.9% të operimeve komerciale të klubit në të ardhmen e afërt.
Bashkë me levat, Barça duhet ta sigurojë një infuzion kesh prej rreth 700 milionë eurove menjëherë. Prandaj, po, Barça tani ka para falë këtyre ujdive të reja financiare, edhe nëse ato do t’i kushtojnë me të hyra më të vogla nga të drejtat televizive dhe komercializmi në kohë afatgjate.
Dhe këto përbëjnë rrezik të madh.
I padurueshëm për rikthimin e ditëve të lavdishme
Laporta e ka dëshmuar se nuk e ka kohën për as durimin për të ndërtuar një ekip me kujdes dhe dalëngadalë dhe përmes të rinjve të akademisë.
Ai nuk dëshiron të mbahet në mend si një njeri i cili i ndihmoi Barçën të ringjallet duke vendosur themele të qëndrushme për suksesin e së ardhmes. Kjo mund të jetë e kuptueshme por është edhe e mërzitshme dhe Laporta nuk bën gjëra të mërzitshme.
Prandaj, ai dëshiron të mbetet në histori si kalorësi hero me parzmore shndritëse që ia ka kthyer klubit lavdisë pa humbur kohë.
Pasi Barcelona e ka fituar vetëm një kupë spanjolle në tri sezonet e fundit, ai e pret suksesin me padurim. Ai dëshiron të fitojë tituj të mëdhenj dhe dëshiron ta bëjë këtë tani.
Prandaj Laporta i ka nxjerrë levat e famshme, duke grumbulluar mjaftueshëm të holla për ta ndërtuar teorikisht një skuadër që është në gjendje të fitojë titull këtë sezon. Në shkëmbim kjo mund, po ashtu teorikisht, të sjellë të hyra më të mëdha përmes të drejtave televizive (veçanërisht në Ligën e Kampionëve të cilat s’i ka shitur), bashkë me mundësitë e tjera komerciale që dalin nga triumfi kundër klubeve të mëdha.
Por shkalla e rrezikshmërisë nuk bën të nënvlerësohet. Tani, ne nuk e dimë nëse Raphinha do ta rrisë nivelin e lojës; nëse Lewandowski (34 vjeç muajin tjetër) do ta shmangë rënien në formë; nëse Ousmane Dembele mund t’i shmangë lëndimet; nëse yjet adoleshente Pedri, Gavi dhe Ansu Fati mund të vazhdojnë të rriten; nëse trajneri Xavi mund ta rregullojë mbrojtjen e dobët.
Vetëm koha do të tregojë dhe rrezikshmëria është edhe më e madhe sepse kjo është marrëveshje që bëhet vetëm një herë. Fitimi i të hollave për kohë të shkurtër duke i shitur asetet komerciale të klubit është, natyrisht, trik i pariparueshëm.