Vrasja e gruas shtatzënë | Osmani: Një tjetër krim makabër e çnjerëzor
Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar përmes një postimi në Faceboook lidhur me vrasjen e një gruaje shtatzënë para klinikës së Gjinekologjisë në QKUK.
Osmani ka thënë se sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s’arriti të bëhet nënë, për bijën e humbur, për jetën që u shua pa të drejtë.
E para e shtetit, vrasjen e sotme e quajte “Një tjetër krim makabër e çnjerëzor”
Kujtojmë që vrasje e tmerrshme ka ndodhur sot rreth orës 18:00 para klinikës së Gjinekologjisë në QKUK.
Siç ka mësuar gazetarja e Nacionales që po raporton nga vendi i ngjarjes, ajo ishte e shtrirë në repartin Obstetrik dhe ishte në javën e fundit të shtatzënisë.
Tutje gazeta mëson se një patrullë e policisë është dërguar edhe te shtëpia e dorasit.
Ky i fundit ende është në arrati, ndërsa ka raportime se është i arrestuar.
Rrethanat e ngjarjes nuk dihen, ndërsa aty shihet Policia e Kosovës që ka filluar me hetimin preliminar të rastit makabër.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Në një përgjigje dhënë Nacionales, është bërë e ditur se viktima është rreth moshës 35 vjeçare.
"Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë.Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç.
Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje.
Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes".