Vrasja e 35 vjeçares: Sveçla tregon se janë suspenduar 4 zyrtarë policorë - NACIONALE

Vrasja e 35 vjeçares: Sveçla tregon se janë suspenduar 4 zyrtarë policorë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pasi Inspektorati Policor i Kosovës rekomandoi suspendimin e katër zyrtarëve policorë, në lidhje me vrasjen e 35 vjeçares, Hamide Magashi nga ish-bashkëshorti i saj. Ai ka konfirmuar Drejtoria Rajonale e Prishtinës e ka zbatuar këtë vendim.

Sveçla përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka përmendur se ka dyshime të bazuara për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.

“Me këtë rast, IPK ka rekomanduar suspendimin e 4 zyrtarëve policor nga Stacioni Policor në Lipjan ndërsa nga Drejtoria Rajonale e Prishtinës është zbatuar ky rekomandim. Po ashtu, të gjeturat e deritanishme do të përcillen në prokurori për trajtim penal”, ka shkruar tutje ministri i Punëve të Brendshme.

Ndërkohë, IPK të shtunën konfirmoi se zyrtarët për të cilët u rekomandua suspendimi janë Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues.

“Nga veprimet hetimore deri më tani si të dyshuar për këto vepra janë katër zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Lipjan (Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues) . Andaj, duke marrë për bazë dyshimin për veprat penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore nga IPK është rekomanduar suspendimi i këtyre zyrtarëve policorë”, thuhej në fund të komunikatës.

Lajme të ngjashme