Një figurë publike e etiketoi gabim një vajzë për tmerrin e djeshëm në Pejë, ajo merr linçime e kërcënime masive (+18) - NACIONALE

Një figurë publike e etiketoi gabim një vajzë për tmerrin e djeshëm në Pejë, ajo merr linçime e kërcënime masive (+18)

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Videoja e publikuar dje nga shtëpia e pleqve “Orenda” në Pejë e tronditi opinionin. Por, nga kjo tronditje shumë njerëz kanë reaguar në mënyrë të papërmbajtshme duke etiketuar e linçuar gabimisht edhe vajza të tjera. Ky është rasti i Aurorës!

Infermierja që shihej në video derisa e dhunonte gruan e moshuar quhej Aurona Pelaj. Ndërkohë, edhe dy infermiere tjera shihen derisa qeshin me të bëmat e koleges së tyre.

Që të tri infermieret tashmë janë arrestuar, dhe sot Prokuroria do të kërkojë masën e paraburgimit prej 30 ditëve.

Por, një tjetër vajzë e pësoi keq nga linçimet dhe dhuna verbale që dje u derdh pa kursim në sferën publike të rrjeteve sociale.

Aurora Gjikokaj po kalonte një ditë të zakonshme të mërkurën e 2 tetorit kur në llogaritë e saj në rrjetet sociale i erdhën mesazhe kërcënuese e linçuese nga shumë e shumë qytetarë të tjerë.

Më pas, ajo do ta merrte vesh se rasti kishte të bënte me një video të postuar ku shiheshin disa infermiere duke abuzuar me një vajzë të moshuar.

Sipas atyre që po e linçonin, Aurora ishte mes infermiereve të cilat po abuzonin të moshuarën.

Por, ajo nuk ishte mes infermiereve. Më vonë do të merrej vesh edhe emrat e infermiereve, e të cilat edhe ishin arrestuar: Aurona Pelaj, Altina Rexhepi dhe Remzie Kuqi.

Pra, nuk ishte Aurora Gjikokaj.

Çka tha Aurora?

Etiketimet ndaj Aurora Gjikokajt besohej se kishin nisur nga një figurë publike, që kishte marrë pjesë në një emision televiziv në Shqipëri vite më parë.

Është fjala për Shqipe Hysenajn, e cila në rrjetin e saj në Instagram e kishte etiketuar në ‘storje’ në mënyrë të papërgjegjshme.

“Aurora Gjikokaj është vajza pranë Auronës... “ – thotë mes tjerash ajo.

“Nuk jom bre unë, çka jeni tu bo?” - i thotë Aurora, Hysenajt në komunikimin privat mes tyre. Për të vazhduar më pas në një komunikim publik: “Të që shfaqe kaq shumë interes për ta zbardh rastin që ndodhi në Shtëpinë e Pleqve më thuaj si e ndjen veten tash që padrejtësisht njollose emrin tim... Unë dhe familja ime po marrim kërcënime nga më të ndryshmet e gjithë shkaku yt dhe i pakujdesisë tënde.”

Ajo i ka folur edhe Nacionales në lidhje me këtë çështje:

“Unë Aurora Gjikokaj jam prekur nga rasti që ka ndodhur në Shtëpinë e Pleqve në Pejë. Jo secili person ka përgjegjësi për veprimet e tjetrit. Emri im është përdorur dhe keqpërdorur pa të drejtë nëpër medie, që nga publikimi i videos unë kam marrë kërcënime nga më të ndryshmet që kanë ndikuar në gjendjen emocionale dhe psiqike timen. I lus insticuonet që personat si Shqipe Hysenaj të përgjigjen për dëmin që kanë shkaktuar duke etiketuar me emrin tim, ngjitas do t’i publik të gjitha dëshmitë për kërcënimet.”

Gazeta Nacionale i ndan me lexuesit këto komente, por fton që audiencat e caktuara të kenë kujdes nga gjuha e papërshtatshme e përdorur në to:

Nacionale ka kontaktuar me znj. Hysenaj për të marrë një qëndrim nga ana e saj për veprimet e bëra gjatë ditës së djeshme por nuk ka marrë ende një përgjigje.

Hysenaj mësohet që i ka kërkuar falje znj. Aurora Gjikokaj për etiketimin që ia ka bërë me anë të një storieje në Instagram.

Lajme të ngjashme